zoom

Politikë

Trafiku në Tiranë/ Këlliçi: Nënkalim edhe te “21 Dhjetori” dhe Fakulteti Ekonomik

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi, zbuloi në studion e “Top news” prioritetet e programit të tij që do të sjellin ndryshim në qytet dhe do të zbusin koston e rëndë të jetesës.

Këlliçi u ndal gjatë tek masat që ai parashikon për lehtësimin e trafikut, që është një nga gangrenat më torturuese për qytetarët.

Nënkalimi në sheshin ‘Skënderbej’, sipas Këlliçit, do të shfryjë 60 përqind të trafikut në qendër.

Kandidati i opozitës ka folur edhe për ndërhyrje të tjera që do të lehtësojnë qarkullimin, do të kursejnë kohën dhe karburantin e qytetarëve, siç janë projektet për nënkalime edhe te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, apo tek Fakulteti i Ekonomisë.

Këto dy nyje rregullohen me semaforë dhe rrethrrotullim, por janë pika nevralgjike për lëvizjen ë kryeqytet dhe bllokohen në vazhdimësi duke shkaktuar trafik, vonesa e stres për qytetarët.

Ndër të tjera, Këlliçi theksoi se premtimi për transport publik falas do të realizohet dhe do të jetë një realitet.

Ai tha se ky projekt ndikon në jetën e përditshme të 200 mijë banorëve, që janë pjesa më në nevojë në Tiranë e që luftojnë për të mbyllur muajin. Transporti publik kursen afërsisht 50 mijë lekë në muaj për një familje.

Këlliçi tha se transporti publik falas dhe projektet për zbutjen e trafikut, prioritete që i shërbejnë qytetarëve, janë vendimet e para që ai do të marrë e do të kalojë në Këshillin Bashkiak.

Kandidati opozitar ka hedhur poshtë edhe shpifjet që janë bërë këto ditë në drejtim të tij, lidhur me diplomimin.

Ai paraqiti shkresën e shkollës “Harry Fultz”, që tregon se Këlliçi ka ndjekur një praktikë si shumë studentë të tjerë, që janë larguar pas 4 viteve për të studiuar në SHBA.

Këlliçi vuri në dukje se atje, në SHBA, ka kaluar në të gjitha fazat e pranimit, ka marrë të gjitha kreditet që i duheshin, ka përfituar bursë nga shteti amerikan, dhe është diplomuar me rezultate maksimale.