Aplikacion
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka bërë me dije se qeveria mori vendimin që të rrisë edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.
E pyetur se ku po i marrin paratë për rritjen e pagave, ministrja e Ekonomisë tha se fondet janë parashikuar të mblidhen nga rritja e të ardhurave dhe nga rialokimet e brendshme. Sipas saj, synimi është që të ulet borxhi dhe deficiti.
“Miratuam një projektligj të rëndësishëm, konkretisht për përcaktimin e pagave. Sot kemi filluar dhe miratuar disa projektvendime për rritjen e pagave për sektorin shëndetësor, arsimor dhe sigurisë, konkretisht për policinë e burgjeve, gardën dhe zjarrfikësit. Në zbatim të vendimit të marrë më parë, nga 1 prilli do të rriten edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.
Kjo rritje do të jetë e ndarë në 2 faza. Pra rriten me pagat e vitit 2023 ndërsa do të ketë rritje edhe në vitin 2024. Kostoja vjetore e cila e plotë do të jetë për vitin 2025 e rritjes së pagave është në nivelin 38 miliard lekë. Këto fonde janë parashikuar që të mblidhen qoftë nga rritja e të ardhurave, qoftë nga rialokime të brendshme. Ne do të vijojmë të ulim borxhin dhe deficitin duke ofruar qëndrueshmëri fiskale. Për 2023 kishim parashikuar politikë të rritjes së pagave dhe kishte vlerë 2.4 miliard lekë që prekte arsimin, shëndetësinë dhe IT. Rritja e pagave vjen edhe si pasojë e krizës inflacioniste, pra janë disa zëra të parashikuara në buxhet që akomodojnë rritjen e pagave dhe koston shtesë të parashikuar për këtë vit”, tha Ibrahimaj.
Ndërkohë që ministrat e secilit sektor bën publike rritjet e kategorive të caktuara si policët, gardistët, zjarrfikësit, mjekët, administrata shëndetësore dhe punonjësit e policisë së burgjeve.