zoom

Politikë

“Lufta” e Berishës dhe Alibeajt për “vulën” e PD-së/ Sot Gjykata jep verdiktin, opozita proteston

Dita e sotme do të jetë vendimtare për opozitën dhe veçanërisht Partinë Demokratike.

Gjykata e Apelit pritet që të vendosë mbi “vulën” e Partisë Demokratike nëse do të jetë në duart e kreut aktual të demokratëve, Sali Berishës apo do t’i shkojë Enkelejd Alibeaj i cili është akuzuar nga pjesa e madhe e demokratëve të bazës si i “shitur” tek Edi Rama.

Gjykata do të vendosë mbi ankimimin e Alibeajt ku kërkohet rrëzimi i vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e Kuvendit 18 dhjetorit si legjitim.

Gjithashtu, mesditën e sotme në orën 12:00, është paralajmëruar protesta e radhës nga opozita ku demokratët dhe qytetarët të bërë së bashku protestojnë për të larguar qeverinë e Edi Ramës.

•Rrugët që do të bllokohen në Tiranë

Ndërkohë, rrugët kryesore të Tiranës do të jenë ditën e sotme të bllokuara për disa orë, bëri me dije Policia e Tiranës, për shkak të tubimit që ka thirrur Partia Demokratike. Qytetarët duhet të shmangin lëvizjen në këto segmente:

Duke filluar nga ora 06:00 e datës 03.03.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 03.03.2023 deri në përfundim të tubimit.

Protesta do të nisë në orën 12.00 dhe nuk ka një orar për përfundimin e saj.

Ditën e djeshme u zhvillua debati me mocion për aferën “McGonigal” por pas fjalës, kryeministri Edi Rama ashtu siç ka bërë dy muajt e fundit “braktisi” sërish Kuvendin duke lënë opozitën pa përgjigje.