Aplikacion
Pushteti i tyre kriminal u rrit derisa Ervis Martinaj nisi dyshimet se miku i tij po fitonte më shumë nga dërgesat.
Krisja nisi kur një ngarkesë me drogë u kap në Gjermani. Lënda narkotike ishte nisur me kamion nën kujdesin e Martinajt në Shqipëri dhe do të pritej nga Duka, por u kap gjatë rrugës nga policia gjermane.
Ervis Martinaj dyshoi se miku i tij po mashtronte. Kërkoi për lajmin e kapjes së kamionit dhe kur nuk arriti ta konfirmonte variantin e mikut të tij u bind se Duka ia kishte hedhur.
Në shenjë hakmarrje Martinaj shkoi në shtëpinë e mikut të tij, ku kishte qenë me dhjetëra herë dhe i mori peng babain, të cilin ia torturoi.
Për Leonard Dukën ky ishte fundi i një miqësie dhe nisja e një përplasje të hapur, që po vazhdon të marrë jetë njerëzish. Ai iu betua Ervis Martinajt se këtë nuk do t’ia falte kurrë.
NDJEKJA E ERVIS MARTINAJT
Me trafikun e drogës, vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka kishin krijuar një pasuri marramendëse. Ishin fuqizuar aq shumë sa krijuan një prej bandave më të rrezikshme në Shqipëri. Ervis Martinaj u bë shenjestra e tyre kryesore.
Dukët rekrutuan efektivë policie dhe një punonjëse të një agjencie udhëtimesh në rrugën Myslym Shyri, ku Ervis Martinaj merrte biletat e udhëtimeve të tij jashtë shtetit.
Punonjësja me inicialet N.SH i tregoi prokurorisë se ajo ishte lidhur me Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin, i njohur me pseudonimin “Dogja”, përmes të dashurit të saj, Dejvizon Serjani dhe shtetasit Daut Elmazi.
Ajo pranoi se u kishte dhënë vëllezërve Duka informacion mbi fluturimet e Martinaj, duke marrë në këmbim një shumë prej 30 mijë eurosh.
“Një herë, informacioni i është përcjellë shtetasit Fatmir Hyseni për një fluturim të objektivit Martinaj me itinerar Prishtinë-Stamboll- Dubai, ndërsa herën tjetër informacioni i është përcjellë Leonard Dukës për një fluturim të Martinajt, me itinerar Athinë-Stamboll-Valencia”, thuhet në dosjen e SPAK.
Përvec punonjëses së asgjencisë, vëllezërit Duka kishin rekrutuar edhe një oficer policie që u jepte informacion për lëvizjet e Martinajt. Ai ishte Ardjan Ahmeti, i cili kishte punuar si specialist IT-je gjatë viteve 2015-2019, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme.
Edhe në këtë rast, lidhjen me vëllezërit Duka e kishte bërë Daut Elmazi. Me porosi të Elmazit, Ardjan Ahmeti është takuar me Fatmir Hysenin dhe ka nisur t’i japë informacione për Martinajn, në këmbim të shumave të mëdha të parave.
DËSHTIMI I ATENTATIT NË VALENCIA
Leonard Duka dhe vëllai i tij Erlisi e ndoqën Ervis Martinaj në Valencia. Bashkë me ta ishin edhe Fatmir Hyseni, Igli Memaj dhe Gentian Dautaj (Zoto).
SPAK konfirmoi se ata kishin udhëtuar në të njëjën ditë dhe ishin akomoduar në të njëjtin hotel në qytetin spanjoll të Valencias.
Por Dukët nuk mundën ta ekzekutonin Martinajt. Për t’u hakmarrë ata vendosën të vrisnin mikun dhe krahun e tij të djathtë, ish –policin Santiago Malko.
Atentati i tij do të hapte një seri vrasjesh. 10 miq e të afërm të Martinajt do të ekzekutoheshin brenda 3 vjetëve, nga 2019 deri në 2022.
ZINXHIRI I VRASJEVE TE GRUPIT TE MARTINAJT
Për policinë dhe SPAK nuk është e qartë nëse pas të gjitha vrasjeve qëndron klani Duka. Por ata janë të dyshuarit kryesorë. Eliminimi i të gjithë miqve të tij duket se qëndron edhe pas zhdukjes së Martinajt, teksa mister vijon mes një eleminimi të tij apo fshehjes për t’i shpëtuar vrasjes dhe për të përgatitur hakmarrjen e tij.
KLANI DUKA
Dy anëtarë të klanit Duka, Blendi Teta dhe Ilir Selmani janë në burg për vrasjen e Santiago Malkos. Tani në burg, i kapur sot në Belgjikë, është edhe kreu i klanit, Leonardi.
Anëtarë të tjerë janë Fatmir Hyseni, Elvis Gaçaj, Oltion Loga dhe Dritan Agaj. Tre të fundit u arrestuan së bashku me Leonard Dukën më 8 prill të vitit 2019, në një aksion kundër një grupi të trafikut të drogës mes Shipërisë dhe Gjermanisë.
Operacioni çoi në sekuestrimin e një makine tip BMW të blinduar, me targa ruse dhe një pistolete, që i përkisnin Ervis Gaçajt, i cili u kap pranë gjimnazit “Partizani”. Policia tha në atë kohë se aksioni kishte për qëllim edhe parandalimin e një vrasje që do të kryente ky grup.
Në vitin 2015 Elvis Gaçaj ishte objekt i një atentati tek “Lulishte 1 Maji” në Tiranë. Ai u plagos, ndërsa dy persona të tjerë u vranë gabimisht, Aurora Oskian dhe Kevin Rugova.
Për këtë atentat, në tetor të vitit 2016, u dënuan dënuan me burg përjetë Sael Sulaj, që për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg.
Gaçaj dyshohet se kishte në zotërim disa parcela të mëdha me kanabis në zonën e Shëngjergjit dhe konflikti që çoi në atentatin ndaj tij kishte nisur për prishje të pazareve në shpërndarjen e drogës. /Zoom.al