zoom

Aktualitet

Vrau të riun për faturën 400 euro, prokuroria kërkon burg për ”Kobrën” dhe 5 persona të tjerë

Prokuroria e Prizrenit ka depozituar në gjykatë kërkesën për paraburgimin e Dibran Hoxhaj i cili akuzohet për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi, Visart Cengu dhe plagosjen e shokut të tij Rufgen Shehu.

Ndaj Dibran Hoxhajt të njohur ndryshe si ‘Kobra’ rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulimi me prova”. Ndërkohë e njëjta masë është kërkuar edhe për pesë persona të tjerë të cilët ishin të punësuar në lokalin ku ndodhi konflikti me të rinjtë nga Kukësi.Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Shkaku i konfliktit që solli vrasjen e Visart Cengut mësohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh, me të cilën të rinjtë nga Kukësi nuk ishin pajtuar. Brenda lokalit ‘Kobra City’ ka nisur përplasja fizike mes tre të rinjve që kishin ardhur në Prizren nga Kukësi për të festuar. Pasi kanë dalë nga lokali gjatë tentativës për t’u larguar me automjetin e tyre, drejt të rinjve është qëlluar me armë zjarri nga pronari i objektit, Dibran Hoxhaj.

Për pasojë, Visart Cengu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për t’u dërguar në spitalin e Kukësit, ndërsa shoku i tij, Rufgen Shehu është dërguar më pas në spitalin e Traumës në Tiranë ku paraqitet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit të 3 janarit. Ndërsa xhaxhai i viktimës, teksa foli për mediat e Kosovës dha detaje, duke zbuluar se Visart Cengu ishte qëlluar nga prapa makinës dhe se plumbi i kishte prekur mushkërinë dhe një pjesë të zemrës.

Kush është autori

Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si ‘Kobra’ ka qenë i dënuar më parë për trafik droge dhe përleshje fizike jashtë lokalit të tij në Prizren. Ai është personazh i njohur në rrjete sociale ku tregon jetën e tij të luksit me veshje të shtrenjta dhe makina luksoze ndërsa ‘identifikohet’ nga varësja me pllakë floriri.