zoom

In Zoom

Euronews: Erion Veliaj po shkatërron Tiranën

Kryeqyteti vijon të kafshohet çdo ditë e më tepër në të gjitha hapësirat që deri më sot i kanë rezistuar betonit.

Edhe pse përballë kritikave të vazhdueshme, Bashkia e Tiranës nuk tërhiqet nga ambicja e saj për t’i ndezur dritën jeshile projekteve të mëdha ndërtimore që kanë shpërbërë projektet urbanistike, kanë shpërfillur mendimin e ekspertëve dhe kanë krijuar hije dyshimi mbi forcën reale të ligjit në vend.

Kullat dhe ndërtimet e tjera luksoze duket se përqëndrohen përherë e më tepër drejt qendrës ku vetëm për vitin 2022 çmimet e tyre kanë arritur deri në 5,000 euro për metër katror, nga 4 mijë euro që rezultonte të ishtë mbi një vit më parë.

Arteriet kryesore të Tiranës tashmë krahas tabelave orientuese të Qarkullimit Rrugor mbajnë edhe ato të projekt-zbatimeve të reja ku po marrin jetë të ashtëquajturit “qiellgërvishtës”.

Vetëm “Invest Society”, duke përzgjedhur pozicione preferenciale, aktualisht po realizon 4 vepra si Rainboë Center, ëest Residences, Book Building dhe Green Terrace të cilat mbajnë firmën  studios italiane “Stefano Boeri Architetti”.

Ndërkohë, së fundmi edhe Tirana Multifuncional Center mori vulën për tu lartësuar mbi lulishten e vetme pas Pallatit të Operas dhe Baletit duke u renditur e gjashta që ngrihet në qendrën e Tiranës, duke i bërë hije institucioneve të qeverisë qendrore dhe lokale që shpesh neglizhojnë me dashje apo pa dashje numërimin e kateve, tjetërsojnë rregullat që vendosin koeficentët e shfrytëzimit, lartësisë apo qoftë edhe përdorimit të truallit.

“Maja e Ajsbergut” duket në vitin 2017 me jetëzimin e një seri kullash rreth qendrës së kryeqytetit të cilat vijojnë ende të ndërtohen duke u shumuar në të paktën 11 të tilla, projekte të fantazive të ndryshme arkitekturore.

Erion Veliaj është i 42-ti që është ulur në karrigen e kryebashkiakut. Edhe pse erdhi me zotimin se do evitonte betonizimin që në vitin 2015 shihej si kërcenim për Tiranën, premtimi i tij pësoi një transformim ashtu si vetë kryeqyteti.

“Tirana ka sot 8 apartamente të pashitura, ndalohet ndërtimi në Tiranë. S’kam ndërmen të hyj në histori si njeriu që ndërton palllate, kjo është ambicja ime. E kam bërë shumë të qartë dhe në një kohë kur nuk shiten apartment nuk do ndërtohet më pasi s’ka sens” thoshte Veliaj.

Kjo deklaratë u pasua edhe nga fushata të tjera si mbjellja e pemëve apo rimodelimi i parqeve, që ecën paralelisht me hekurin dhe çimenton duke zbehur atë që do të ishte iniciativa për moratorium.

Sot, Bashkia e Tiranës vetëm për periudhën janar-qershor 2022 numëron një sipërfaqe prej gati 1.2 milionë metra katror leje ndërtimi duke vendosur një rekord të ri.

Ky bilanc i INSTAT, shënon një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Zyrtarë të bashkisë, shpesh vezullimin e ndërtimeve e justifikojnë me faktin se Tirana po rritet cdo ditë dhe se bashkë me të është përmirësuar mirëqënia ekonomike.

Sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në Tiranë ka arritur një nivel rekord në 6 muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në kryeqytet, për periudhën janar- qershor 2022 është dhënë një sipërfaqe prej gati 1.2 milionë metra katror, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por duke qenë se renditemi si një ndër ekonomitë më të varfëra në Europë sipas institutit Europian të Statistikave, për kë po ndërtojnë të “pasurit” e Shqipërisë?

”74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë”


Megjithatë, kryebashkiaku Veliaj valën e madhe të ndërtimeve e ka lidhur me projeksionin për banorët e rinj.

“Hajdeni këtu në vendin time dhe më thoni se ku do i çoni këta që vijnë përditë. Kur vjen puna se tani duhet të matesh mirë, se të shkon vetëm taksa e bashkisë 5 milion euro, tre shkolla do t’i bëjë nga kulla jote” theksonte Veliaj.

Por nuk kaloi shumë nga kjo deklaratë dhe më 26 prill 2018, Bashkia Tiranë përcaktoi procedurat se si do negociohej me zhvilluesit, që do shprehnin interesin për të bashkëpunuar me Bashkinë për pronat e saj duke i dhënë ndërtuesve një sërë hapësirash.

Por si krahas ideve pozitive për shkolla, parqe apo pemë, lulëzuan edhe paligjshmëritë e kateve pa leje, hija e së cilave shkoi deri në kryeministri

“Boll më ndërto me teorinë dhe korrupto policinë, inspektorët dhe futi një legalizim fitimeve marramendëse në rrugë të paligjshme.” tha Rama.


Dy ndër rastet më të diskutuara ka qenë ndërtimi i 5 kateve të dyshuara pa leje në qendër të Tiranës nga firma “Kastrati sh.p.k.” si dhe ato të kompanisë Arlis-Ndërtim bri sheshit ‘”Skëndërbej’ apo shtesa në godinën 33 kateshe pas “Tirana International Hotel & Conference Center”.

Po çfarë vlerë i sjellin ekonomisë dhe çfarë fshihet pas manisë së ndërtimeve?

Pastrim parash, korrupsion, shkatërrim i trashëgimisë apo vizion për një Tiranë moderne?

Tirana kryqytet ndërtimi e zhvillimi apo kryeqytet i “ndotjes”?

Pse redaktohet herë pas here plani rregullues i Bashkisë Tiranë dhe a është një model i gabuar që nuk vendos në balancë raportin mes godinave dhe popullsisë?

Kush janë banorët e kullave dhe a ka një transparencë të burimit të financave që lidhen me ndërtimet?

Pse u shkelën premtimet për të mos ndërtuar në tokë publike?

/Zoom.al