zoom

Aktualitet

Top Channel, kritika limonatë Edi Ramës për milionat me avionin charter

Pas sulmit të djeshëm ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, Top Channel ka lëshuar mbrëmjen e sotme disa kritika konstruktive ndaj kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Edicioni informativ nisi me një editorial kritik ndaj reagimeve të Ramës, lidhur me skandalin e udhëtimeve të tij luksoze. Në vend që të jepte shpjegime për 134 udhëtimet me charter, që kushtuan një djall e gjysmë, Rama sulmoi opozitën dhe mediat, duke përdorur kështu sulmin, si mbrojtjen më të mirë.

”Udhëtimet me Charter/ Kryeministri Rama reagon me neveri, por neveri ndaj kujt dhe për çfarë?!”– ishin strishat që çelën edicionin e orës 19:30.

“Por për çfarë dhe ndaj kujt ka neveri kryeministri i Shqipërisë, sa herë pasqyrohet një lajm, i dalë nga sistemi i dobët i TIMS, i hakeruar nga iranianet? A duhet të kishte neveri ndaj atyre që dështuan në ruajtjen e sigurisë kombëtare, apo ndaj atyre që publikuan një të vërtetë?”- vijon editoriali, teksa shton se askush nuk e ka përbuzur Kryeministrin e Shqipërisë, kur ai ishte në opozitë dhe lëshonte akuza të pabazuar dhe shpeshherë pa prova.

Më tej, përmbyllet kështu:

“Në atë kohë, publiku dhe një pjesë e mediave, e mbështetën e në këtë mënyrë ai erdhi në pushtet pa asnjë neveri. E besuan në 2013 dhe më parë, sepse ishte ndryshe nga rivali i tij, që reagonte me neveri ndaj çdo publikimi të skandaleve qeveritare. Prandaj është e udhës, që koha e përbuzjes ndaj të vërtetës të ndalet, pasi të gjithë jetojmë në një vend dhe askush nuk duhet të ketë neveri ndaj të vërtetës.”

Një editorial ky që ngacmon, në një kohë kur shikuesve u mungonte prej kohësh “opozitarizmi” i këtij televizioni kombëtar, por që padyshim, mund të bëhet shumë më shumë se kaq.