zoom

Të gjitha

Kur ndarja kushton! Melinda Gates mund të bëhet gruaja e dytë më e pasur në botë!

Melinda Gates, filantrope dhe aktiviste për fuqizimin e grave, mund të bëhet gruaja e dytë më e pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar në 73 miliardë dollarë, pas ndarjes nga miliarderi Bill Gates.

Në kërkesën e saj të paraqitur të hënën në gjykatë në Seattle, Washington, Melinda Gates deklaroi se divorci me bashkëthemeluesin multi-miliarder të Microsoft, Bill Gates, një nga burrat më të pasur në planet, ishte i pakthyeshëm dhe i bëri thirrje gjykatës për të ndarë pasurinë e përbashkët të çiftit – 146 miliardë dollarë.

Ndarja 50-50 ka të ngjarë të ndodhë sepse paraqitja e kërkesës për divorc zbulon gjithashtu se çifti – i cili u martua në vitin 1994 – nuk nënshkroi një marrëveshje paramartesore dhe sipas ligjit të Washington-it, pritet që çiftet që divorcohen të ndajnë pasuritë e tyre në mënyrë të barabartë.

Nëse kjo ndodh, Melinda French Gates – e cila kohët e fundit ka vendosur mbiemrin e vajzërisë në profilet e rrjeteve sociale – do të renditet pas Françoise Bettencourt Meyers, pronarja 67-vjeçare e L’Oreal, pasuria e trashëguar e së cilës ka vlerën rreth 83 miliardë dollarë.

Sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg, Bill Gates aktualisht renditet si personi i katërt më i pasur në botë, me pasuri 146 miliardë dollarë. Ai do të ishte më i pasur – dhe ndoshta njeriu më i pasur në botë – nëse nuk do të kishte dhënë të paktën 40 miliardë dollarë për fondacionin e bamirësisë, Bill dhe Melinda Gates.

Divorci vë në pikëpyetje të ardhmen e nismave humanitare të çiftit përmes fondacionit, i cili gjithashtu merr para nga donatorë të tjerë, duke filluar nga miliarderi Warren Buffett te qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Ndonëse ata kanë thënë se do të bashkëpunojnë, disa ekspertë sugjerojnë që çifti i divorcuar mund të ketë pikëpamje të ndryshme rreth drejtimit të ardhshëm të fondacionit.

Fondacioni përqendrohet në projekte për të përmirësuar kujdesin shëndetësor global, arsimin dhe barazinë gjinore.