zoom

Aktualitet

Si u grabit porti ushtarak 39 mijë m2 nga Kastrati në Sarandë

Në fillim të 2020-ës, një kërkesë e “Kastrati Group”, kompanisë së Shefqet Kastratit dhe e “Concord Investment”, me pronar Artan Dulakun mbërrin në dyert e Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës.

Kërkesa kërkonte marrjen me koncesion të një sipërfaqeje prej 260 mijë metra katrorë prona të Forcës Detare në Bazën Ndihmëse të Limionit. Nga kjo sipërfaqe, rreth 40 mijë metra katrorë ishin pjesë e planit të përhapjes së forcës detare.

Ministria e Infrastrukturës përcolli kërkesën të Forca Detare. Kjo e fundit i ktheu përgjigje negative duke cituar, sipas deklaratave të mëvonshme të ish-zëvendëskomandatit të saj, Artur Meçollari “rëndësinë strategjike dhe pengesat e legjislacionit në fuqi, që nuk e njihte mënyrën e propozuar për investim” nga Kastrati dhe Dulaku.

Me të marrë përgjigjen, Kastrati e korrigjon ofertën dhe nga koncesion propozon Partneritet Publik-Privat. Oferta e re kërkonte të njëjtën sipërfaqe për shfrytëzim për hotele e resorte në këmbim të ndërtimit nga ana e privatit të një baze të re për Forcën Detare.

Me ofertën e re në dorë, ministrja e Mbrojtjes në atë kohë, Olta Xhaçka thërret për konsultim oficerët e lartë të Forcës Detare që të vlerësonin kërkesën. E joshur nga ideja që privati do të ndërtojë një bazë të re me standarde moderne dhe duke pasur parasysh se hapësira që zotëronte ishte përtej nevojave që shfrytëzonte, Forca Detare e miraton duke i renditur Shefqet Kastratit kërkesat teknike e operacionale dhe me kushtin hapësira shtesë t’i kalonte vetëm pas përfundimit të bazës së re.

Sipas rrëfimeve të mëvonshme të Artur Meçollarit, ministrja Xhaçka e kishte vlerësuar projektin e dorëzuar nga Forca Detare si të tepruar dhe përtej mundësive e kapaciteteve të kompanive të Kastratit e Dulakut. Por, Meçollari pretendon se projekti ishte real dhe i barabartë, që do të thotë se Forca Detare përfitonte po aq sa u jepte privatëve.

Nga ky moment, Forca Detare u mënjanua nga bisedimet me privatin për këtë bazë, ndërsa duke përdorur pushtetin dhe lidhjet brenda Qeverisë, Kastrati e Dulaku ja dalin mbanë që në 1 korrik të 2020 të marrin me qira 1 euro për 20 vite rreth 4 mijë metër katrorë më shumë se sipërfaqja e parashikuar në kërkesën fillestare. Përveç të tjerave, Kastrati përfitonte edhe hapësirën e përcaktuar në planin e përhapjes së Forcës Detare.

Vendimi i Qeverisë parashikon që kontrata të lidhej me Ministrinë e Financave, duke mënjanuar Ministrinë e Mbrojtjes. Ish zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari akuzoi më vonë përmes kallëzimit të bërë edhe në SPAK se vendimi shkelte disa ligje, pasi duhej të përfshihej si Ministria e Mbrojtjes, ashtu edhe autorizimi i Presidentit të Republikës.

Dy javë pas vendimit të Qeverisë nënshkruhet kontrata, ku detaji që bie në sy është që Kastrati e Dulaku nuk marrin përsipër që të sigurojnë moscenimin e aspekteve operacionale të Forcës Detare në këtë bazë.

Megjithatë, një seri padish të depozituara në SPAK në pranverën e 2021 nga Artur Meçollari ka lënë pezull zbatimin e kësaj kontrate, përfundon artikulli i VoxNews.

Mbi çështjen në fjalë do të shkruante më 22 korrik, përmes një artikulli të titulluar “Shqipëri, Hetime dhe debat mbi pronat e ushtrisë” nga Mimoza Picari, edhe “Zëri i Amerikës”.

“Njëra padi është për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien me qera të të gjithë bazës detare të Limionit Sarandë, duke mos lënë asnjë asnjë metër katror për forcën detare, dhe e dyta është për bazën detare të Shëngjinit, ku është ndërtuar brenda pronës që ndodhet në planin e vendosjes dhe të përhapjes të Forcës Detare, që është e ndaluar kategorikisht me ligj”- tha për Zërin e Amerikës Artur Meçollari, ish Zv. Komandant i Forcës Detare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në lidhje me dhënien me qira të bazës detare në gjirin e Limionit Sarandë, rezulton se në vendimin numër 514 të Këshillit të Ministrave, parashikohet dhënia e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifë 1 euro /kontrata ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës, për pasurinë shtetërore me sipërfaqe të përgjithshme rreth 265 mijë metër katror. Brenda këtij territori ndodhet dhe një pronë me sipërfaqe rreth 39 mijë metra katror me numër 696, që sipas Zotit Meçollari, bën pjesë në planin e vendosjes dhe të përhapjes, për dhënien me qera të së cilës, duhet marrë më parë miratimi i Presidentit të Republikës. Në projekt-kontratën që Zëri i Amerikës siguroi përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përveç ushtrimit të veprimatrisë në fushën e turizmit për 20 vjet, parashikohet dhe ndërtimi nga shoqëria qiramarrëse, i një bankine për forcat detare në gjirin e Limionit në Sarandë. Ish drejtuesi i lartë i Forcës Detare, Artur Meçollari thotë, se në kohën kur ai ishte ende në detyrë, ka patur një propozim të forcës detare për çështjen e bazës por që nuk është marrë në konsideratë.

“Meqë pala kontraktore propozonte ndërtimin e një baze të re “pro buono” për forcat e armatosura, atëherë dhe forcat detare bënë kërkesën që ajo të ndërtohej më e vogël në sipërfaqe se ajo aktuale dhe pjesa tjetër të jepej me qera. Por për këtë duhej të kalonte patjetër për miratim nga Presidenti i Republikës në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. VKM Nr. 54 nuk mund të jetë bazë ligjore, për dhënien me qera të sipërfaqes prej 39.446 metër katror, pjesë e planit të vendosjes dhe përhapjes”- tha për Zërin e Amerikës Artur Meçollari, ish Zv. Komandant i Forcës Detare.

Në përgjigje të interesimit të Zëri i Amerikës pranë Presidentit të Republikës, lidhur me dhënien me qera të kësaj prone të ushtrisë, thuhet se “Institucioni i Presidentit të Republikës, nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Minstria e Mbrojtjes për nxjerrjen jashtë planit të vendosjes dhe përhapjes të FA të pronës nr. 696 (Baza Detare Ndihmuese, Limion, Sarandë)”. Sipas zyrës së Presidendit kjo pronë me sipërfaqe 39.446 m² figuron brenda planit të vendosjes dhe përhapjes së FA.

Në përgjigjen e Presidentit ngrihet shqetësimi për “situatën e pronave brenda planit të vendosjes dhe përhapjes të FA, si dhe statusin e tyre të ndryshuar në kundërshtim me ligjin”. Për më tepër, artikullin e VOA-s e gjeni këtu.