Aplikacion
Shpallja e Artan Gaçit, bashkëshortit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka si investitor strategjik ishte pika kulmore e ligjit për investimet strategjike të përfolur si klientelist.
Ai u miratua në vitin 2015 me shpresën se do të sillte investitorë të huaj, por përfitime prej tij i kanë pasur vetëm disa njerëz të përfolur për lidhje me qeverinë.
29 nga 35 projektet strategjike janë nga brenda Shqipërisë dhe vetëm 4 nga jashtë. 26 prej tyre janë për turizmin, edhe pse ligji synonte fusha të tjera të ekonomisë, si energji, transport, bujqësi, elektronikë etj.
Më 2 mars 2022, qeveria i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë “AGTTC Hotel Management”, për përdorimin e një zone bregdetare mjaft të lakmuar në Drimadhes, për ndërtimin e resortit “Dreamades Luxury Suites”. Investitori strategjik thotë se do të ndërtojë një hotel që do ta përdorë për llogari të tij. Plazhin do ta ketë falas për 30 vjet.
Kompania është në emër të shtetases amerikane Tawni Liz Grzych-Sutton. Por pas saj qëndron ish -deputeti Artan Gaçi, i cili e ka pranuar këtë fakt. Ajo ishte krijuar vetëm pak muaj para se t’i jepej status i investitorit strategjik. Çështja ka ngjallur një debat politik të fortë, pasi opozita e akuzon ministren Xhaçka se është në konflikt interesi, pasi ka votuar në qeveri për vendimin e shpalljes së bashkëshortit si investitor strategjik.
Por përtej debatit për lidhje familjare, pyetja është se kujt po i jepet ky status për të shfrytëzuar falas plazhet më të bukura të Shqipërisë.
Resorti në Parkun e Butrintit
Një ditë më parë (21 korrik 2022) deputeti Agron Shehaj akuzoi ministren e Kulturës, Mirela Kumbaron, se ka zvogëluar Parkun Kombëtar të Butrintit për t’i dhënë një prej plazheve më të bukura të jugut një kompanie pas të cilës ai thotë se fshihet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri. Sipas demokratit Shehaj, zyra e Andi Shpk u përdor si zyrë elektorale e PS-së për zgjedhjet e vitit 2017.
“Çfarë provash do më shumë? Kjo është zyra e Andi shpk. Në 2017 e ka përdorur PS ka qenë zyrë elektorale e PS. Është adresa e Andi shpk që është shpallur investitor strategjik bashkë me një nga përfituesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit (Albstar e Idajet Ismailajt). E kuptoni këtë. Paratë që vidhni janë të qytetarëve, nuk mund t’i vidhni me kushërinjtë tuaj. Ky është thelbi. Mos hajdeni të më thoni ku janë provat. Andi Gjiknuri, kushëriri i ministrit. Çfarëdo më shumë. Ashtu si “DH Albania” mori 2.4 mln euro nga OST. I keni parë incineratorët. Nuk ka prova si vidhen me qindra miliona euro?! Bëhuni seriozë”, -tha Shehaj.
Ne QKB, “Andi shpk” figuron një biznes që nuk ka plotësuar ende dokumentacionin e nevojshëm. Kompania ka pak kohë që është krijuar.
Damian Gjiknuri reagoi ndaj akuzave duke thënë se do ta padiste për shpifje deputetin Shehaj. Ministrja Kumbaro nuk e mohoi dot që e kishte kërkuar ajo që plazhin ku do të investonte “Andi Shpk” dhe “Albstar” e kishte nxjerrë ajo me kërkesë të saj nga harta e. Parkut Kombëtar të Butrintit.
Resorti në Plazhin e Gjeneralit
Në një tjetër zonë të lakmuar të bregdetit, qeveria shpalli si investitor strategjik një kompani që ishte krijuar një vit më parë.
“Mediterranean Wave”, që zotërohet 100% nga “Shijaku shpk”, mori 635 mijë m2 tokë të këtij plazhi, për të bërë një investim prej 50 milionë eurosh. Investimi konsiston në ndërtim vilash që kompania do t’i shesë për llogari të saj. Qeveria do t’i ndërtojë rrugën, ujësjellësin, kanalizimet, impiantin e ujërave të zeza, stacionin elektrik.
“Shijaku Shpk” nuk kishte investuar deri më parë në biznesin e turizmit. Por 2 vjet më parë qeveria i dha kësaj kompanie kundrejt çmimit simbolik 1 euro edhe 140 mijë metër katrorë tokë publike, pjesë e vendkomandës qendrore të Ushtrisë në zonën e Saukut. Disa muaj më parë ajo arriti të marrë lejen për të çmontuar Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, që ndryshe njihet si Uzina e ARMO-s, edhe pse legjislacioni e ndalonte falimentimin apo çmondimin e ARMO-s.
Një kompani zvicerane ofroi 520 milionë euro investime, por nuk mundi ta realizojë asnjëherë planin e saj.
Zëra të pavërtetuar ende flasin se pas “Shijaku shpk” fshihet një prej konglomerateve më të mëdha në vend, me aktivitet kryesor në fushën e hidrokarbureve, i përfolur si një prej klientëve preferencialë të qeverisë.
Një aktor i lidhur me PS investitor strategjik
Po në mars të këtij viti lajmi se investitor strategjik u shpall një aktor i humorit u prit me shumë bujë nga opinioni public.
Humoristi Gaz Paja e fitoi statusin për të ndërtuar një resort luksoz në Dhërmi me vlerë 13.8 milionë euro. “Dhërmi Resort” do të jetë një hotel me 5 yje në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. 108 mijë metra do të përdoren për të ndërtuar vila.
Humoristi tha se toka ishte private, por mediat u mëshuan lidhjeve të tij të ngushta me Partinë Socialiste. Ai u rreshtua në krah të PS prej vitit 2013. Në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2019 ai bëri hapur fushatë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe është këshilltar i PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Investitorët e rinj strategjikë bashkohen në dy pika. E para, janë të gjithë të orientuar në ndërtimin e resorteve në zonat më të lakmuara bregdetare edhe pse s’kanë përvojë në këtë fushë dhe e dyta, që konsiderohet më e rëndësishmja, janë të gjithë të lidhur ngushtë në forma të ndryshme me pushtetin. /Zoom.al