zoom

In Zoom

Qeveria para shtesë kompanive të punëve publike për rindërtimin. U kompenson rritjen e çmimeve

“Në cilën krizë rriten rrogat? Lufta nuk vjen për të rritur rroga dhe për të sjellë të mira, por vjen vetëm për të sjellë të keqe, dhimbje koke në rastin më të mirë dhe dhimbje plagësh në rastin tjetër. Ne duhet të jemi të përgatitur edhe për skenarin që gjërat mund të shkojnë më keq. Duhet ta bëjmë këtë me shpresën se gjërat do shkojmë më mirë, por nuk varet nga ne”.

Kjo ishte ajo çfarë deklaronte kryeministri Edi Rama në mes të Marsit kur u kërkonte shqiptarëve që të bënin durim për të përballuar rritjen e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë.

Ai tha se qeveria e tij nuk do të ulte as taksat në tregun e karburanteve, edhe pse bëhej ndër të paktat në Europë pa ndërmarrë asnjë masë mbrojtëse për qyetetarët në këtë sektor.

Shkurt, qeveria nuk mund të përballonte kosto shtesë.

2 muaj nga këto deklarata, qeveria e ka zgjidhur thesin, por jo për qyteatrët.

Ajo ka miratuar një akt normativ për të ndihmuar kompanitë që kanë fituar tendera e PPP në punët publike për rindërtimin. Do t’u kompensojë atyre nga 5 deri në 30% të çmimeve të materialeve të ndërtimit, me një fond prej afro 7 miliardë lekësh, për shkak të rritjes së çmimeve të këtyre materialeve në tregun global.

Vendimi është për t’u përshëndetur, pasi në kohën e tenderimit, çmimet e materialeve kanë qenë gati 2-fish më ulët sesa çmimet me të cilat blihen tani këto materiale.

Por ashtu si këto kompani qeveria do të duhej të kishte ndihmuar edhe qytetarët e të gjitha shtresave, duke i lehtësuar nga taksa të produkteve të ndryshme, veçanërisht nga taksat e naftës. /Zoom.al

Akti Normativ

Neni 1

Ky akt normativ ka si qëllim përcaktimin e rregullave dhe kritereve për kompensimin financiar të çmimit të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut në kontratat publike për punë që plotësojnë kriteret e nenit 2, të këtij akti normativ, të lidhura në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për prokurimin publik dhe në kuadër të procesit të rindërtimit, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022.

Neni 2

Fusha e zbatimit 1. Ky akt normativ zbatohet për kontratat publike për punë, të financuara me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit apo të enteve të tjera publike të cilat janë në proces për t’u lidhur përpara hyrjes në fuqi të këtij akti normativ ose në proces zbatimi që nga data 1 janar 2020 dhe që preken nga rritja e çmimit të hekurit, çimentos, bitumit dhe tubave plastikë, për punë të kryera pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ. 2. Ky akt normativ zbatohet për kontratat publike për punë, të financuara me fonde të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51% apo me financim të huaj, që përballohen nga fondet e shoqërive me kapital shtetëror, të cilat janë në proces për t’u lidhur përpara hyrjes në fuqi të këtij akti normativ ose në proces zbatimi që nga data 1 janar 2020 dhe që preken nga rritja e çmimit të hekurit, çimentos, bitumit, aluminit, bakrit dhe zinkut, për punë të kryera pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ.

Neni 3

Përkufizime Për qëllim të këtij akti normativ, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim: a) “Autoritet kontraktor” është autoriteti i cili lidh një kontratë publike për punë të financuara nga buxheti i njësive të përcaktuara në nenin 2, të këtij akti normativ, si dhe autoriteti përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi, në kuadër të procesit të rindërtimit; b) “Kontrata publike për punë” ka të njëjtin kuptim me atë të përdorur në legjislacionin për prokurimin publik; c) “Kontrata shtesë” nënkupton kontratën mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik, sipas procedurës së përcaktuar në këtë akt normativ, kur miratohet kompensimi.

Neni 4

Situata e veçantë Situatë të veçantë, në kuptim të këtij akti normativ, përbëjnë të gjitha rastet të cilat krijojnë situatë emergjente si pasojë e rritjes së ndjeshme të çmimit të tregut për materialet e hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut, në krahasim me çmimet ekzistuese në momentin e lidhjes së kontratës publike për punë.

Neni 5

Kriteret dhe dokumentacioni për përfitimin e kompensimit 1. Me shpalljen e situatës së veçantë, sipas këtij akti normativ, operatorët ekonomikë, të angazhuar në kontrata publike për punë me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit ose të enteve të tjera publike apo të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51%, i paraqesin autoritetit kontraktor kërkesën për kompensim, sipas aneksit nr. 1, vetëm për pjesën e kostos që lidhet me rritjen e çmimit të materialeve të ndërtimit, të përcaktuara në nenin 2, të këtij akti normativ. 2. Autoritetet kontraktore shqyrtojnë kërkesën sipas pikës 1, të këtij neni, brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Në rast të refuzimit të kërkesës, operatori ekonomik ka të drejtë të ankimojë vendimin në gjykatën kompetente. 3. Shtesa e kontratës hartohet në bazë të rritjes së çmimit në raport me vlerën e këtyre materialeve në kontratën publike për punë. Kjo shtesë duhet të jetë brenda kufirit të përcaktuar në nenin 6, të këtij akti normativ. 4. Autoritetet kontraktore paraqesin shtesat e kontratave të miratuara te ministritë e linjës/ institucionet qendrore, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit për kontratat në kuadër të procesit të rindërtimit, bordet drejtuese, këshillat bashkiakë apo këshillat mbikëqyrës të shoqërive publike, të cilat parashikojnë burimet përkatëse për mbulimin e tyre. 5. Kompensimi i fondeve të parashikuara në kontratën shtesë bëhet nga autoriteti kontraktor pas verifikimit të gjendjes së punimeve të realizuara dhe faturës së blerjes së materialeve të ndërtimit, të përcaktuara në nenin 2, të këtij akti normativ, sipas parashikimeve të kontratës shtesë. 6. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat shtetërore dhe autoritetet kontraktore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur nga shoqëritë. Për kryerjen e verifikimeve autoritetet kontraktore mund të marrin edhe ekspertë sipas fushave përkatëse. 7. Pas verifikimit, sipas pikës 5, të këtij neni, kryhet pagesa për kompensimin sipas legjislacionit në fuqi. 8. Në rast të përfundimit të situatës së veçantë, fondi i papërdorur nga shtesa e kontratës mbetet në buxhetin e autoritetit kontraktor.

Neni 6

Masa e kompensimit të shtesës së kontratës 1. Kompensimi i secilit prej operatorëve ekonomikë që përmbushin kriteret e këtij akti normativ, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 2, të këtij akti normativ, bëhet në masën nga 5% deri në 30% të vlerës që zënë materialet e hekurit, bitumit, çimentos, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut në kontratat publike respektive. Në çdo rast, vlera e kompensimit nuk tejkalon masën nga 5% deri në 30% të vlerës të materialeve të përmendura. 2. Shtesa e kontratës sipas kompensimit të materialeve sipas pikës 1, të këtij neni, nuk do të konsiderohet si shtesë kontrate, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik dhe të procesit të rindërtimit. 3. Në rast se operatori ekonomik nuk bie dakord me vlerën e vendosur të kompensimit nga autoriteti kontraktor, kontrata ndërmjet palëve zgjidhet dhe rihapet një procedurë e re prokurimi për realizimin e punimeve të papërfunduara. Gjithashtu, ndaj operatorit ekonomik merret masa e përjashtimit nga procedurat e përfitimit të kontratave publike për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Neni 7

Kohëzgjatja dhe zbatimi 1. Parashikimet e këtij akti normativ zbatohen për aq kohë sa zgjat periudha e situatës së veçantë të krijuar në treg. 2. Hyrja në fuqi e këtij akti normativ konsiderohet edhe shpallje e situatës së veçantë. 3. Përfundimi i situatës së veçantë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për infrastrukturën.

Neni 8

Dispozitë kalimtare 1. Për kontratat publike për punë, që do të lidhen pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, autoritetet kontraktore duhet t’u referohen çmimeve të tregut për materialet e hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastikë dhe në rastin e shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51%, duke përfshirë edhe aluminin, bakrin dhe zinkun. Në veçanti për procesin e rindërtimit, autoritetet kontraktore, për materialet e përcaktuara në këtë akt normativ, duhet t’u referohen çmimeve të tregut. 2. Vonesat në zbatimin e kontratave publike, për të cilat shtrin efektet ky akt normativ, si dhe vonesat në zbatimin e kontratave në kuadër të procesit të rindërtimit, që janë në proces zbatimi nga data 1 janar 2020, nuk do të konsiderohen si shkelje e kushteve kontraktore dhe nuk do të aplikohen penalitete ndaj operatorëve ekonomikë.

Neni 9

Hyrja në fuqi Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

ANEKS NR. 1

KËRKESË Emri i operatorit ekonomik ____ NIPT-i: ________ Objekti i kontratës/projekti ____ Kërkesa për kompensim ______

*Bashkëlidhur kësaj kërkese: – Vlera e parashikuar e punimeve për vitin 2022; – Vlera e parashikuar për përdorimin e materialeve të ndërtimit sipas përcaktimeve të neneve 2 dhe 6, të këtij akti normativ për vitin 2022; – Vlera e kërkuar për kompensim të parashikuar në kontratën shtesë; – Shpjegime të tjera.