zoom

Blog

Jepuani atë dreq pene, ta ndryshojnë këtë vend

E dini çfarë është tjetër e vështirë në Shqipëri? Të jesh gazetar! Dëgjon sa në një cep në tjetrin të flitet për vështirësitë e gjithfarëlloj profesioni, ama ndesh një mungesë interesi dhe rrudhje buzësh, sa herë fjala bie te gazetarët. Kushedi, mbase njerëzia s’ka fort faj.

Së fundmi u publikua Indeksi i Lirisë së Medias në botë. Shqipëria renditet e 103-ta, Kosova në vendin e 61-të. Mund të kish’ qenë tema perfekte e atyre që shtrydhin çdo lajm periferik për të sajuar editorialin e radhës, ama zor se po flasin.

Siç ndodh, çdo shkrim të këtij lloji i faturohet në publik një rrezik i mundshëm; ngjyresa politike. Kush do ketë shkruar dy rreshta rebelimi, do e kenë renditur në radhët blu dhe pagëzuar kundërqeveritar.

Kështu, nis e mendon se ky vend do bëhet, ditën kur të mësojë se Toka nuk rrotullohet rreth rozës dhe blusë. Mund të çohesh dhe kundërshtosh ndotjen, ndërtimet, pa qenë domosdoshmërisht në njërin krah a tjetrin. Në do të kish’ një ferr për gazetarinë, kjo e jona do t’i përkiste një ndër rrathëve më problematikë të llojit të saj; e cungët, kopjace, gjithë dredhi e pa këllqe. Të rinj që shkelin gjurmët e shefave për të zaptuar diçka, ideale që thyhen që në punën e parë, fshirje ëndrrash, gojë që mbyllen, mendime brilante që s’hidhen kurrë në letër.

Kurrsesi s’kam besuar në vërtetësinë absolute të medias, gjykoj se si çdo pushtet tjetër gëzon dritëhijet e tij. A do ta justifikonim për hir të kësaj një kronikë që mendohet mirë, pritet e rregullohet, sepse një kryetari bashkie mund të mos i pëlqejë, a do ta justifikonim për hir të kësaj t’i trembesh bërjes së një kritike serioze e të mirëbazuar në fakte, sepse dikush mund të të telefonojë, të të kujtojë sa i vogël je dhe sa lehtë mund të shtypesh? A justifikohet të mos bësh zë? Ta përlyesh veten në llogoret e qokave, sepse me këtë filozofi ecën televizioni, gazeta ku punon. Të shkruash një të vërtetë therëse vetëm në murin e Facebook-ut, se gjëkundi tjetër s’të pi ujë.

Kaq shumë web-e që ngrihen, por pak liri. E rrëfejnë këtë profesionistët e rinj teksa turfullojnë me kolegët në pushimin e drekës; e dëshmojnë studentët e sapopunësuar, që kanë nisur të marrin disi erë nga gjithë ky mekanizëm, e me rebelimin e moshës s’ngurojnë të nxijnë faqet e ndonjë pyetësori mbi lirinë e fjalës. Një gjuhë e përbindshme që thith kotësi e dhunë, e s’harron të lëpijë qeveritarë, opozitarë e VIP-a.

Pastaj ndodh të lexosh diku një artikull për së mbari, diçka të kopsitur ndershëm e bukur, një gjykim të pastër, pa inate personale dhe kupton sa i etur je të lexosh dikë që i mendon vërtet ato që shkruan. Ke nevojë t’i besosh dikujt. Por nëse stepesh ta listosh si të veshurën më keq në event, një artiste mesatare a çfarëdo qoftë, ç’mund të thuhet për deklaratën e një deputeti që ti mendon se s’shkon? Harroje, nëse s’do t’i prishësh vetes punë.

Joshesh nga dëshira e ethshme për të bërë gazetari, ashtu siç të është predikuar në auditoret e shkollës, pa kuptuar se do të shkelësh në dërrasë të kalbur, ose s’do të jepet mundësia ta vendosësh kurrë këmbën në një tillë, madje as t’i afrohesh. Vrapon me ëndrrën se sot do t’i gjendesh pranë këtij vendi, do çjerrësh maska, do buçasësh probleme e diç do lëvizë, por heshtja ta pret hovin. Mësues që i druhen kamerës, ngurojnë të thonë se po, gjatë dimrit në klasë bën ftohtë. Punëtorë të administratës që të kundërshtojnë prerazi, s’mund të flasin me zë e figurë. Kështu, të mbetet të lëvizësh gurin e fundit. Të mbash vesh për skamjen e ndonjë familjeje. Fundja ata s’kanë më çfarë të humbasin. Nuk u tremben partive, opinionit, asgjëje. Varfëria s’pyet. Mund të bësh një goxha lajm!

Ndaj ashtu në heshtje i nënshtrohesh edhe ti evolucionit poshtërues nëpër të cilin po endet gazetaria. Gjendesh përpara tastierës dhe duket se s’ke fort mundësi zgjedhjeje. Nëse nuk ke ndërmend të tentosh njëherë ta zhbësh të keqen, nëse vendos të mos pozicionohesh në asnjë anë e kurrsesi të mbrosh interesat e dikujt, s’të mbetet veçse të gërmosh gjëkundi nëpër artikuj të huaj e të përshtasësh diçka në shqip. Kështu je mirë me të gjithë.

Një penë mund të ndryshojë botën. Mundet vërtet! Pushteti i fjalës ka mbajtur njerëz nën tutelë e injorancë përgjatë historisë. Po për t’i qytetëruar e ardhur në ndihmë? Fjala sërish.

Sidoqoftë, ky vend s’është pa gjë. Në ka dicka që s’ia zë dot rrugën, ajo është fjala, bën ç’bën e gjen shtegun dhe rrjedh. Mund të rrjedhë, do të, duhet!

*Shkrim i rikthyer në faqen e Zoom.al, sërish aktual për situatën mediatike në vend