zoom

Aktualitet

43 gradë në Shqipëri, 48 në Itali/ Javë ferri për Europën

Shqipëria vazhdon të vuajë valën e të nxehtit afrikan, duke iu bashkuar grupit të vendeve më të prekura në Europë. Zonat më problematike në vend, raportohen ato midis Elbasanit deri poshtë në Berat ku termometri do të ngjitet në 43 gradë C gjatë javës.

Sipas ekspertëve, temperaturat që kanë prekur rajonin kalojnë edhe përballueshmërinë e trupit të njeriut.

Gjatë këtyre ditëve kanë qenë të shpeshta shqetësimet fizike tek qytetarët si pasojë e të nxehtit afrikan që ka pushtuar vendin. Rastet e raportuara janë të shumta në numër në kryeqytet.

Temperaturat në Europë

Europa Juglindore vazhdon të përballet me atë që ekspertët po e quajnë “stuhi të nxehti”. Spanja, Italia dhe Greqia janë vendet më të prekura. Akropoli është mbajtur mbyllur edhe dje në Athinë deri në orët e pasdites.

Një ishull spanjoll ka evakuuar katër mijë banorë nga rreziku i zjarreve pyjore. Agjencia Europiane e Hapësirës njoftoi për shifra rekord duke thënë se temperaturat e larta që vijnë kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike janë pjesë e një realiteti të ri me të cilin duhet të përshtatet bota.

Spanja, Italia dhe Greqia prej disa ditësh po përjetojnë temperatura përvëluese, duke dëmtuar bujqësinë dhe duke ua vështirësuar pushimet turistëve.

Agjencia Europiane e Hapësirës që vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga Hapësira paralajmëron që edhe në ditët në vijim të ketë temperatura më të larta.

“Kemi regjistruar javën e kaluar temperaturën e sipërfaqes së tokës në 60 gradë Celsius. Kjo nuk është temperatura e ajrit në kuptimin meteorologjik, por ajo tregon temperaturën aktuale të sipërfaqes së tokës, se si do të ndihej në prekje. Dhe ne besojmë se do të intensifikohet”, thotë Clement Albergel, Shkencëtar i Aplikimeve Klimatike në Agjencinë Europiane të Hapësirës.

Italia lëshoi sot alarmin për motin e nxehtë për 16 qytete, pasi meteorologët paralajmëruan se temperaturat do të arrijnë nivele rekord në të gjithë Europën Jugore në ditët në vijim.

Vala aktuale e të nxehtit në Europë është quajtur Cerberus, nga Shoqata italiane e Meteorologjisë, sipas përbindëshit me tri koka te Ferri i Dantes.

Deri më tani, temperatura më e lartë ndonjëherë në Evropë është regjistruar në Sicili, në gusht të vitit 2021 – 48.8 gradë Celsius.

Përveç Europës, me mot shumë të nxehtë po përballen edhe Shtetet e Bashkuara, Kina, Afrika e Veriut dhe Japonia.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se moti ekstrem, që vjen si pasojë e ngrohjes globale është duke u bërë “fatkeqësisht një normale e re”.

Si të qëndrojmë të sigurt

Ekspertët këshillojnë që qytetarët të shmangin daljen jashtë në oraret e pikut të të nxehtit, për të shmangur anomalitë shëndetësore që shkaktohen nga temperaturat e larta.

Gjithashtu sugjerohet që të konsumohen të paktën 2 litra ujë në ditë dhe të shmangin kafen dhe alkoolin, të cilat janë dehidratuese.

Kujdes duhet të kenë personat që përdorin barna që dëmtojnë vigjilencën, sepse ato mund të rrisin rreziqet duke modifikuar sjelljen, ose ilaçe me efekte të mundshme në dehidrim (për shembull antiepileptikët, kripërat e litiumit, biguanide dhe statina).