zoom

Politikë

4 familjarë në Prokurorinë e Tiranës/ Si qeveria personalizoi ligjin për fisin e Ermonela Felajt

Nënkryetarja socialiste e Kuvendit, Ermonela Felaj pret të emërojë familarin e katërt të saj në Prokurorinë e Tiranës, motrën Eranda Felaj, pas bashkëshortit, vëllait dhe kunatës. Lëvizjen që tingëllon si një abuzim që e ndalon ligji; nuk e ndalon, të paktën jo pas vitit 2016.

Pak muaj pas djegies së mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, ata që zunë vendet më pas, bashkuan votat me PS-në për të ndryshuar një sërë ligjesh të reformës në drejtësi, mes të cilin edhe ligjin që i mundësonte Ermonela Felajt emërimin e katër të afërmve të saj në sistem.

Kodi që u ndryshua parashikonte si lidhje të afërta familjare jo vetëm ato të gjakut, por edhe krushqitë.

“Këshillat marrin masa për të shmangur papajtueshmërinë ambientale që krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, ose persona të tjerë në lidhje të ngushtë nga gjaku ose me ligj, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile”, thuhej në pikën 1 të nenit 8 të ligjit të vitit 2016.

Por tre vjet më vonë falë edhe votave të deputetëve që plotësuan vendet bosh të opozitës, ky nen u ndryshua duke hequr referimin te Kodi i Procedurës Civile, e për rrjedhojë ndalimin e emërimeve të atyre që kanë lidhje krushqie.

“Papajtueshmëria ambientale, në kuptimin e këtij neni, krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë”, thuhet në nenin e ndryshuar të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pas këtij ndryshimi, u është hapur rruga edhe emërimeve me lidhje të afërta krushqie, mes të tjerash edhe lidhja e bashkëshortit të Ermonela Felajt me kunatin dhe kunatën e tij.