Aplikacion
Turistët e huaj e pushuesit shqiptarë, ata që nuk i frekuentojnë këto lokale ku zhurma e bashkuar britmat që dalin nën avujt e alkoolit, kaluan një tjetër natë pa gjumë.
U ranë numrave të policisë, por as këtë herë nuk zgjidhën gjë.
“Policia është palë me ata” – thanë disa prej turistëve që kontaktuan Zoom.al, që këtë shqetësim e ka ngritur prej ditësh. “As nuk duan t’ia dinë për ne, sepse drejtuesit e policisë kanë shokë pronarët e klubeve, bëjnë pazare bashkë” – vijuan ankesat.
Zoom.al i ka kërkuar informacion me shkrim Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Turizmit, Policisë së Shtetit dhe bashkisë së Himarës. Ashtu sikundër nuk u përgjigjen pushuesve që i ka kapur ky hall i madh, sepse nuk po arrijnë të kalojnë një natë të qetë në pushimet e tyre, këta institucione kanë heshtur edhe përballë kërkesave të gazetarëve tanë.
Pyetja që u drejtohet ministrave e zyrtarëve që drejtojnë këtë vend është e thjeshtë: Përse disa klube nate në jug që ndodhen në mes të qendrave të banuara, lejohen të bëjnë muzikë pas orës 00:00 kur ligji e ndalon?
Drejtuesit e policisë lokale, të Himarës dhe Vlorës e patën të vështirë t’i përgjigjen kësaj pyetje kur qindra pushues morën në numrat 112 dhe 129. “Kanë marrë para nga pronarët e lokaleve” – denoncuan disa nga pushuesit.
Por tani të vështirë e kanë përgjigjjen për një pyetje kaq të thjeshtë edhe shefat e tyre në Tiranë dhe Ministrat.
Në Durrës, pas ankesave të qytetarëve, policia e mbylli lokalin e njohur të natës “Cinco Cavalli”, pasi bënte muzikë me volum të lartë pas mesnate.
Por Mojo në plazhin e Dhërmiut dhe Folie Marine në plazhin e Jalit vazhdojnë të zhurmojnë në kupë të qellit, pa pyetur për ligjin, pa pyetur për mijëra pushues që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në këto zona.
Shumë nga pushuesit thonë se këto klube favorizohen jo vetëm nga policia lokale. “Nuk kanë këllqe ta mbajnë mbi supe këta të policisë së Himarës apo Vlorës. Lidhjet shkojnë më lart”.
Pronarët e “Folie Marine” janë përfolur vazhdimisht për lidhje me kryeministrin Edi Rama. “Por edhe pronarët e “Mojo” kanë lidhje me kreun e qeverisë” – thonë disa nga pronarët e lokave të tjera në Dhërmi.
Të tjera burime flasin për lidhje direkte të tyre edhe me disa ministra.
“Nuk duhet shumë për ta kuptuar se përse vazhdojnë të shkelin ligjin pa u hyrë ferrë në këmbë” – thotë pronari i një hoteli që dëshiron të mbetet anonim. “Ne të tjerëve na vijnë policët te dera 5 minuta para se të shkojë ora 23:00 me bllokun e gjobave në dorë”.
Dhe gjithçka bëhet në mënyrë të dukshme. Pronarët e këtyre klubeve duket sikur u thonë gjithë të tjerëve, konkurrentëve apo pushuesve “s’keni çfarë të na bëni”.
Të njëjtën përgjigje duket se kanë edhe Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë apo Bashkia e Himarës përballë atyre që u tregojnë se si ligjet shkelen hapur për sa kohë ata janë rehat në kolltuqet e zyrave të tyre apo në dhomat luksoze të rezorteve të shtrenjta të plazheve më të bukura të botës që zgjedhin për të kaluar pushimet, aty ku pushojnë të qetë, pasi ligji atje nuk i ndan qytetarët në njerëz të thjeshtë “që s’kanë ç’na bëjnë” dhe në “miq të pushtetarëve”. /Zoom.al