zoom

Aktualitet

Shpërthimi me 2 të vdekur në Lushnjë, arrestohet 32-vjeçari i autorizuar për ndërtimin e kapanonit

Shpërthimi tragjik në Lushnjë, me pasojë 2 të vdekur dhe 7 të plagosur javën e kaluar, ka sjellë edhe ndalimin e parë nga Policia dhe Prokuroria.

Burime zyrtare thanë se po vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024.

“Dhe në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit: Leonard  Gjini, 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda”, bëhet me dije.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.

Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

“Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, sqaroi policia vendore.

Kurse materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/