Aplikacion
Kam bërë gati shtesë padie për të informuar me dokumente të reja, autentike, të faktuara të cilat ndihmojnë SPAK për inceneratorin e Tiranës”, tha Monika Kryemadhi. “Ajo që është dhe llokma më e madhe, pjesa më e madhe e kësaj afere korruptive që nuk është e vetmja”, shtoi ajo.
Pamjet e filmuara me dron nga LSI treguan se në Inceneratorin e Tiranës janë vetëm 3 vaksa betoni dhe një kapanon. “Këtu nuk ka asnjë lloj investimi atë që ne kemi dëgjuar prej kohësh nga kryeministri që koncesionari, Klodian Zoto dhe inceneratorët kanë bërë një investim 128 milionë euro dhe qeveria shqiptare ka blerë shërbimin për 20 euro tonin për të mbledhur mbetjet të cilat janë vetëm në qytetin e Tiranës”, sqaroi Kryemadhi.
LSI thotë se i ka shtuar kallëzimit të saj evazionin fiskal që ka ndodhur me kompanitë e Klodian Zotos, prej mbi 30 milionë dollarësh.
Por sa janë kompanitë që sipas LSI janë përfshirë në skemënë e vjedhjes nëpërmjet inceneratorëve?
“Janë 24 kompani të cilat kanë bërë bashkëveprim financiar shtije dhe blerje me kompanitë e inceneratorëve. Duke marrë me detaje të gjitha kompanitë, dhe duke i detajuar me fatura me librat e shitjeve, me librat e blerjeve ajo që kemi kuptuar dhe kemi rezultuar në fund është që evazioni total i këtyre kompanive është 189 milionë dollar”, tha Monika Kryemadhi në një konferencë për shtyp.
Por cili ka qenë aktiviteti i këtyre kompanive? Ja si e shpjegon LSI në denoncimin e saj.
“Në pamje të jashtme, mund të duket si diçka normale që janë 24 kompani që kanë bërë punë të ndershme, që kanë blerë kanë shitur dhe deri këtu jemi shumë dakord dhe shumë në rregull. Po ju marr rastin e kësaj kompanie, AMPP e cila ka një xhiro prej 19.5 milionë dollarësh. Duke marrë librin e shitjeve dhe blerjeve rezulton si në çdo biznes atë që ti do të ofrosh si shërbim duhet ta kesh të magazinuar. Ose do të blesh diku tjetër ose do të prodhosh. Ose do të blesh zhavorr, hekur ose do të jesh fabrike që prodhon hekurin. Dhe në librin e blerjeve të kësaj kompanie në na ka rezultuar që kjo kompani ka blerje rreth 18 milionë dollarë produkte. Dhe pjesa më e madhe e produkte të tyre janë ushqime fruta dhe ujë i pijshëm. Dhe përsëri prap deri këtu shumë në rregull sepse mund të jetë një kompani që furnizon qytetarët shqiptarë në supermarket. Kur vijmë në shitjet që ka bërë shitjet që ka bërë kjo kompani që janë të ndara në 780 fatura, që janë në librin e shitjeve që do t’ia dorëzojmë SPAK-ut. Frutat janë shkëmbyer me inerte, ushqimi, vaji janë shkëmbyer me asfalt dhe uji i pijshëm janë kthyer në beton”.
LSI publikoi një listë të gjatë të kompanive që kanë vepruar sipas të njëjtës skemë (lista e plotë në fund të lajmit të Zoom.al).
“Pra, çdo të thotë? Do të thotë që pjesa më e madhe e këtyre kompanive, kompanitë më të verdha janë kompanitë fiktive, këto kompani shkëmbejnë fatura me njëri tjetrin. Kompanitë me jeshile, janë kompanitë që kanë fituar koncesionet dhe që kanë fituar punë publike. Pra çfarë kanë ndodhur? Ka ndodhur që në këto kompani funksionojnë, blerje fiktive tek ushqimet. Kompanitë e mëdhaja ushqimore, uji pijëshëm i cili mund të jetë 8 milionë dollarë që është blerë ujë i pijshëm. 6-7 milionë fruta ekzotike. Të cilat janë të ndara në fatura të vogla, nuk blihen me llogari bankare, nuk janë mbi 3 milionë lekë, por janë fatura të cilat janë nën 3 milionë lekë në mënyrë të tillë që lëvizja financiare të mos bëhet nëpërmjet llogarive bankare por të bëhet në KESH. Dhe shitja e produktit beton është bërë me faturë bankare por rezulton që pagesat bankare nuk janë kryer. Përveçse nuk kryhen, kompanitë që kanë bërë blerjet nga këto kompanitë fiktive marrin dhe rimbursimin e TVSH-së.”
Vetëm për inceneratorin e Tiranës, LSI thotë se evazioni është 30 milionë euro.
“Për të vazhduar hap pas hapi, çfarë ka ndodhur, janë 3 grupe të cilat funksionojnë. Grupi i parë është kompanitë e inceneratorëve që kanë mbi 30 milionë euro, sidosmo inceneratori Tiranës që ka mbi 30 milionë euro evasion fiskal pra, fatura fiktive, që nga këto kompani fiktive kanë blerë sheqer, miell, oriz, vaj për të ndërtuar ato vaskat e betonit që pamë në inceneratorin e Tiranës. Ndërkohë, kompanitë e ndërtimit që kanë fituar koncesionet e ndërtimit dhe të rrugëve janë ato që kanë marrë 99.99% të tenderave publikë, pjesa kryesore janë kompani që kanë fituar të gjitha punët publike, ku i kanë shërbyer këto fatura për të rritur në mënyrë fiktive shpenzimet po përveç kësaj shërben dhe shërben pasi marrin dhe 20% e TVSH-së. Përveçse marrin para nga buxheti i shtetit këto kompani i rrëmbejnë buxhetit të shtetit dhe 20% e TVSH-së.”
Miliona euro të tjera mendohet se janë vjedhur në forma të ndryshme nga inceneratori i Tiranës, i cili, sipas opozitës do t’u kushtojë shqiptarëve 430 milionë euro.
SPAK ka çuar në burg ish -ministrin e Mjedisit, Lefter Kokën, pas denoncimit të LSI, PD dhe nismës Thurje, për inceneratorin e Elbasanit. Po kështu, në burg është edhe Alqi Bllako, deputeti socialist që u detyrua të lërë mandatin pasi SPAK kërkoi arrestimin. PD ngriti një komision hetimor dhe ka akuzuar edhe kryetarin e Bashkisë, Erion Veliajn, ministrin e Rindërtimit dhe zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ish -ministrin e Infrastrukturës dhe sekretarin e Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknurin e zyrtarë të tjerë, përfshirë kryeministrin Rama. LSI nuk ishte pjesë e komisionit hetimor. SPAK deri tani ka kryer veprime për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, por ende për atë të Tiranës.
Një sulm i pak javëve më parë i kryeministrit Rama ndaj SPAK u komentua në rrethet mediatike si presion i tij ndaj prokurorëve për të mos prekur çështjen e inceneratorit të Tiranës, por këto komente nuk shoqëruan ndonjëherë me fakte. /Zoom.al