zoom

Aktualitet

Albtelecom nuk paguan tarifat për frekuencat, AKEP hesht

Kompania e telefonisë celulare Albtelecom nuk ka paguar në kohë pranë AKEP (Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare) tarifën për përdorimin e frekuencave në të cilat ajo operon, duke shkelur hapur ligjin.

Albtelecom rezulton se i ka vonuar pagesat jashtë çdo parashikimi ligjor. Por AKEP-i nuk ka reaguar siç e detyron ligji për këto raste.

Zoom.al u interesua si pranë kompanisë Albtelecom, ashtu dhe pranë AKEP-it për të kuptuar se cilat janë arsyet në vonesat e pagesave prej qindra mijëra eurosh, që shkojnë në buxhetin e shtetit, sa është detyrimi që Albtelecom duhet të paguajë dhe se çfarë masash ka marrë AKEP-i apo do të ndërmarrë nëse kompania e telefonisë celulare do të vijojë të mos i paguajë tarifat?

Në një përgjigjje në postën elektronike për Zoom.al, AKEP thotë se:

  • informacioni i kërkuar, bazuar ne ligjin nr. 9918, date  19.5.2008 “Per komunikimet elektronike ne Republikën e Shqiperise”, vlerësohet si konfidencial, si dhe
  • informacioni i kërkuar nuk ka impakt per publikun.
  • Sa me sipër, AKEP duhet te ruaje konfidencialitetin e te dhenave ne marrëdhënie me operatoret e komunikimeve elektronike dhe per pasoje nuk mund t’ju vendosim ne dispozicion informacionin e kerkuar. 

Por a janë pagesat e një biznesi në arkën e shtetit çështje me interes publik? A duhet që çdo kompani, në çfarëdo fushë që operon, ta zbatojë ligjin, siç bëjnë konkurrentët e saj? A ka ndërhyrë AKEP-i, si institucion shtetëror, me fuqinë që i jep ligji për ta arkëtuar detyrimin që i detyrohet kjo kompani? A po favorizohet kjo kompani dhe a po ndikon AKEP-i me mosveprimin e tij në rregullat e konkurrencës? Si ka vepruar AKEP-i në raste të ngjashme me kompani të tjera?

Transparenca është edhe më e domosdoshme në rastin e kësaj kompanie, pasi aksioner i saj është edhe shteti shqiptar, me 13.78%, nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe me 2.47 % nëpërmjet Postës Shqiptare. 

Edhe Albetecom refuzoi t’i përgjigjet kërkesës për informim të Zoom.al. Zyra e shtypit nuk iu përgjigj e-maileve të dërguara disa herë në adresë të përfaqësuesit të saj, ndonëse zyra u vu në dijeni edhe përmes bisedave telefonike apo komunikimeve celulare.

Mungesa e transparencës ngre dyshime se si kompania ashtu edhe AKEP-i po shkelin ligjin. Ligji “Për komunikimet elektronike” shprehet qartë.

Neni 71, për “kushet e shfrytëzimit të frekuencave të caktuar” në pikën “d” thotë se një nga kushtet është kryerja e pagesave.

Ndërsa neni 76, që përcakton “Revokimin e autorizimit individual” në pikën “d” përcakton se revokmi bëhet kur “nuk janë kryer pagesat për përdorimin e frekuencave brenda 30 ditëve nga afati i përcaktuar ose 12 ditë pas njoftimit nga AKEP –i.

AKEP-i nuk pranon të vërë në dispozicion të publikut asnjë nga procedurat e kryera mbi vonesat që Albtelecom ka pasur në pagesat e tarifës për frekuecat edhe pse të dy subjektet janë në shkelje të ligjit.

Dhe nëse ligji shkelet, kuptohet se për interes të kujt po bëhet. Pikëpyetje ka mbi rolin e AKEP-it, se për çfarë interesash nuk ndërhyn për ta detyruar Albtelecom që t’i paguante në kohë detyrimet. /Zoom.al