Aplikacion
Pak ditë më parë, në 17 qershor 2021, Gjykata e Strasburgut në një vendim për një çështje të pazakontë u shpreh për përputhshmërinë e ligjit Severino me Konventën Evropiane (KEDNJ). Rasti italian, siç do të shpjegojmë dhe më poshtë, nuk ka shumë ndryshim me atë shqiptar, por arsyeja kryesore për të cilën unë vendosa të shkruaj këtë herë ka lidhje me dy çështje themelore për Shqipërinë (por siç shihet qartë, jo vetëm për të), çështjen e “Kontratës së politikës me krimin” dhe Ligjin e Dekriminalizimit në Shqipëri.
PAK HISTORI NË SFOND Ishte viti 2014.
Në Parlamentin dhe në administratën e dalë nga zgjedhjet e 2013, prezenca e elementëve me rekorde të tmerrshme kriminale ishte çdo ditë e më shumë në rritje. Nuk ka pasur kurrë një përqendrim kaq të madh të trafikantëve dhe njerëzve me rekorde të tmerrshme kriminale në Parlament dhe në administrate sa kishte në atë kohë. Dhe kjo pa dyshim që erdhi nga kontrata me krimin që bëri politika në zgjedhje. Krimi ka para, ka forcë, ka njohje dhe fuqi. Filozofia politike ishte e qartë. “Ju më ndihmoni të vij në pushtet, unë nesër ju ndihmoj duke ju dhënë kontrata shtetërore, duke ju dhënë pushtet për të emëruar të tjerë kriminelë në administratë.
Mbyll sytë kur kaloni drogën, fik radarët në det, fik skanerët në porte, telefonoj dhe liroj kur ju arrestojnë”. (Operacioni ‘Shpirti’ 2021 për ilustrim të asaj kohe) etj., etj.”. Ka vende kur qeveritë e luftojnë krimin, ka vende ku qeveritë i shkelin syrin krimit, por në Shqipëri krimi dhe politika u bënë një. Kjo ishte faza më e zhvilluar e së keqes, ndaj duhej bërë diçka nga opozita në atë kohë. Në diskutimet në 2014- ës, në mbledhjet e kryesisë filloi ideja e ligjit të dekriminalizimit. Për të marrë një mendim më profesional i kërkuam një takim Komisionit të Venecias, para se të lançonim idenë në publik. Komisioni nuk vonoi dhe në Tiranë erdhën së bashku me një ambasador mik.
Meqenëse kryetari i Partisë Demokratike ndodhej në një takim jashtë, i prita së bashku me disa kolegë të tjerë në zyrën e kryetarit të PD-së. Ata na dëgjuan qetësisht dhe na orientuan drejt ligjit “Severino” dhe një dekreti më të hershëm të Presidentit italian. Na kërkuan të ishim të kujdesshëm në mënyrë që ligji të mos prekte KEDNJ (Konventën) dhe më pas një ekspertizë nga Ministria e Drejtësisë italiane me ekspertët tanë do të ishte fondamentale. Pak ditë më vonë filluam draftet dhe debatet brenda nesh ekspertëve dhe më pas, edhe ato politike me maxhorancën, e cila ndihej nën sulm. Nuk dua të zgjatem e të them se edhe ata vetë ishin skeptikë, por drejtuesi i tyre më inkurajoi fort ndërsa ndaheshim atë ditë.
Sot, teksa lexoj vendimin e Strasburgut, e kuptoj më mirë. Qëllimi që unë po shkruaj nuk është se dua të marr meritën për atë ligj, pasi ka qenë thellësisht meritë e ekspertëve, aq më tepër që në të vërtetë fokusi im atë kohë e vijimisht ka qenë te drejtësia, por mendoj se vendimi i javës së kaluar të Gjykatës së Strasburgut më bën të ndihem mirë si për debatet që kishim brenda vetes, por mbi të gjitha për debatet me kolegët e maxhorancës në atë kohë. Shumica e ekspertëve dhe kolegëve në atë kohë bërtisnin se ligji që po bënim ishte antikushtetues (për këtë ndryshuam edhe Kushtetutën), por se ishte edhe kundër Konventës, të cilën nuk e ndryshonim dot. Disa më shkaktonin të qeshura kur thoshin se “ato që ne po shkruanim nuk mund t’i thoshim dot në publik sepse preknin në mënyrë flagrante nenin 6 dhe nenin 7 të Konventës”; se “mandati i fituar nga populli nuk mund të prekej” etj., etj.
Por ajo që dëgjoja shpesh nga kolegët në atë kohë nën zë ishte: “Do Zoti nuk e çon njeri në Strasburg, se po shkoi mbaroi kjo histori dhe ne do të na tregojnë me gisht si jurist të paaftë që turpëruam veten, organizatën politike etj.” Isha i bindur atëherë dhe buzëqeshja me vete sa herë që bënim testin dhe ngushtonim “vrimat e rrjetës” në draftligjin e dekriminalizimit për të mos dalë asnjë “peshk” dhe që kolegët mërziteshin e më thoshin: “Jo! Këtë nuk e shkruajmë; Jo, këtë nuk mund ta themi; po kjo nuk shkon, po ky është skandal; po çfarë do të thonë nesër kolegët?”. Ndaj, qëllimi im i vetëm në këtë shkrim është të them sot pas 7 vjetësh, me vendimin e Strasburgut, se kishim të drejtë dhe ishim profesionalisht shumë korrektë si ekip ligjor kur draftuam atë ligj, që pa dyshim solli njëfarë ndryshimi në politikën shqiptare.
KONTRATA ME KRIMIN 2021, DEKRIMINALIZIMI DHE MËSIMET NGA STRASBURGU
Sot, pas zgjedhjeve të vitit 2021, lehtësisht mund të evidentosh sërish se kontrata e politikës me krimin vijon, por ajo është amenduar me të tjerë aktorë, është kamufluar pak, por thelbi është e njëjti. “Ju më ndihmoni dhe më sillni vota për të mbajtur pushtetin dhe unë nuk ju bëj deputetë, por ju bëj ata që doni. Vetë zgjidhini të pastër. Pastaj unë ju jap tendera, ju jap drejtori, ju jap para publike. Po ika unë, ju ju pret burgu, po qëndrova bëhemi edhe më të pasur, edhe më të fortë”. Por si avokat, politika vijon të më interesojë çdo ditë e më pak, ndaj qëllimi im është të mos flas për politikën, por të informoj qytetarët, por edhe kolegët dhe ish-kolegët e mi mbi debatet e para 7 viteve. Kontrata e politikës me krimin është problem i jashtëzakonshëm edhe për vende të tjera, ndaj doja të ndaja me lexuesin 10 leksione që vijnë nga Strasburgu për dekriminalizimin. Për këtë i kërkova ndihmë Dhimitrit, një studenti të shkëlqyer të Universitetit të Tiranës për të përmbledhur dhe punuar mbi këtë shkrim informues.
RASTI “GALAN” – TESTI PËR PAJTUESHMËRINË E DEKRIMINALIZIMIT ME KONVENTËN EUROPIANE
Kërkuesi përpara Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ishte Giancarlo Galan, i cili kishte fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Në 16 tetor 2014, pas një hetimi të çelur nga Prokuroria e Venecias, Giancarlo Galan pranoi me marrëveshje deklarimin e fajësisë, ndaj edhe Gjykata e pranoi këtë marrëveshje duke e shpallur fajtor për veprën penale të korrupsionit, të kryer mes viteve 2005-2011. Vendimi i Gjykatës mori formë të prerë vetëm pasi përfundoi edhe shqyrtimi në Gjykatën e Kasacionit të Italisë, në vitin 2015. Ndërkohë, në vitin 2012 ishte miratuar ligji “Severino” dhe në zbatim të tij edhe një Dekret-Ligj, të cilët dënimin penal me vendim të formës së prerë e konsideronin si kusht pazgjedhshmërie, që nënkupton se të dënuarit me vendim gjyqësor të formës së prerë nuk mund të kandidonin në zgjedhjet e pushtetit qendror, ose në rast se ata ishin zgjedhur, mandati parlamentar do të hiqej.
Në këtë kontekst, pasi vendimi mori formë të prerë, Prokuroria i përcolli Dhomës së Deputetëve një kopje të vendimit të datës 16 tetor 2014, Presidenti i së cilës iu drejtua Bordit të Zgjedhjeve, me qëllim që ky i fundit të vendoste mbi mandatin e deputetit të z. Galan. Fillimisht, një Komision i Përhershëm i Parlamentit si ai për verifikimin e mandatit parlamentar (i ngjashëm me komisionin e mandateve te ne) vendosi me shumicë që t’i propozojë Bordit konstatimin e shkakut të pazgjedhshmërisë, për rrjedhojë dhe heqjen e mandatit parlamentar. Bordi, me shumicë votash, vendosi të miratojë propozimin e komisionit parlamentar dhe pasi ftoi në një dëgjesë publike z. Galan, vendosi t’ia përcjellë vendimin Dhomës së Deputetëve. Më 27 prill 2016, Dhoma e Deputetëve vendosi heqjen e mandatit parlamentar për z. Galan, me efekt të menjëhershëm, për shkak të konstatimit të një arsyeje pazgjedhshmërie. Z. Galan iu drejtua Strasburgut (GJEDNJ-së) me pretendimin se ligji Severino shkel të drejtat e tij të garantuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe kryesisht nenin 7, që garanton të drejtën për të mos u dënuar pa një ligj dhe nenin 13, pasi pretendoi që ligji nuk garantonte një mjet juridik efektiv e të arritshëm, përmes të cilit të kundërshtohej papajtueshmëria e ligjit “Severino” me Konventën.
10 LEKSIONE NËN OPTIKËN E GJYKATËS SË STRASBURGUT PËR LIGJIN “SEVERINO”, QË JANË PËRGJIGJE PËR KOLEGËT E MI JURISTË PAS 7 VJETËSH
Të drejtat politike dhe elektorale nuk përfshihen se në fushën e veprimit të nenit 6 § Gjykata shprehu edhe një herë qëndrimin se: të drejtat politike dhe zgjedhore si e drejta për t’u zgjedhur (e drejta e votës pasive) nuk përfshihen në fushën e veprimit të nenit 6, paragrafi i parë (Tapie kundër Francës, nr. aplikimi 32258/96) pasi ky i fundit flet për akuzat penale dhe as në fushën e veprimit në nenit 7 të KEDNJ-së. Ndalimi për të kandiduar ose për t’u zgjedhur është në përputhje me qëllimin për të mos lejuar depërtimin e krimit në administratë (ndërprerja e kontratës së krimit me politikën) Gjykata u shpreh se qëllimi i ligjit “Severino”, sipas relacioneve të ligjvënësit italian, synonte të pengonte infiltrimin e krimit në vendimmarrje dhe në funksione të larta publike.
Kapaciteti moral është kusht thelbësor për të vazhduar ushtrimin e të drejtës së përfaqësimit të zgjedhësve. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi se kapaciteti dhe aftësitë morale të të zgjedhurit janë një kusht thelbësor për të ushtruar të drejtën e përfaqësimit të zgjedhësve, ndaj edhe parashikimi i një dispozite të tillë si ajo e pazgjedhshmërisë nuk përbën një ndëshkim penal, madje nuk është as efekt i dënimit penal. Vërtetimi i një kushti që përbën ndalim për kandidimin apo për t’u zgjedhur nënkupton humbjen e kushtit subjektiv për të përfaqësuar zgjedhësit. Rreptësia e masës së marrë nuk është vendimtare për të karakterizuar një të tillë si masë me natyrë penale. Gjykata argumenton se rreptësia e masës së masës së marrë nuk është vendimtare për të karakterizuar një masë si masë me natyrë penale.
Humbja e mandatit për shkak të ligjit Severino (dekriminalizimit) nuk përbën një masë penale. Kërkuesi pretendoi se kjo ishte një masë penale, por Gjykata mbajti qëndrimin se humbja e mandatit për shkak të ligjit Severino nuk përbën një masë penale. Gjykata është shprehur se megjithëse në pamje të parë mund të kenë të përbashkëta, heqja e së drejtës së votës në kuadër të dënimit plotësues të parashikuar nga Kodi Penal dhe heqja e së drejtës pasive të votës në kuadër të ligjit të Severino janë krejtësisht të ndryshme, pasi në rastin e parë, dënimi i heqjes së të drejtës aktive të votës ekzekutohet gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, ndërsa heqja e së drejtës pasive të votës ekzekutohet pas kohës së vuajtjes së dënimit, kurse në rastin e dytë hiqet vetëm e drejta pasive e votës. Ligji Severino (Dekriminalizimi ynë) nuk shkel parimin e fuqisë prapavepruese të ligjit. Gjykata hodhi poshtë pretendimin e aplikantit lidhur me cenimin e nenit 7 të Konventës, që lidhet me fuqinë prapavepruese të ligjit penal.
Në këtë mënyrë, Gjykata konstatoi se ligji Severino nuk shkel parimin e fuqisë prapavepruese të ligjit penal. Heqja e mandatit për shkak të dekriminalizimit nuk ishte arbitrare dhe as joproporcionale. Heqja e mandatit parlamentar për shkak të ligjit Severino nuk përbën as cenim të së drejtës për zgjedhje të lira të parashikuara në nenin e tretë të Protokollit Nr. 1 të Konventës, për shkak se ligji Severino plotësonte një vakum ligjor, duke qenë se ndalimi i kandidimit apo zgjedhjes në funksione publike parashikohej vetëm për pushtetin lokal me një ligj të vitit 1990 dhe për shkak të faktit se heqja e mandatit përkonte me nevojën urgjente për të siguruar në mënyrë të përgjithshme, funksionimin e duhur të autoriteteve publike, përgjegjëse për menaxhimin e respublica. Neni 13 i Konventës nuk kërkon rishikimin gjyqësor të një vendimi të Parlamentit në kontekstin e tagrave kushtetues ekskluzive.
Aplikanti para Gjykatës ngriti dhe pretendimin për mungesën e parashikimit të një mjeti efektiv e të arritshëm në të drejtën e brendshme me qëllim kundërshtimin e përmbajtjes së ligjit Severino si të papajtueshëm me Konventën, dhe më konkretisht heqjen e mandatit të tij parlamentar. Gjykata, duke konstatuar se për heqjen e mandatit parlamentar e drejta e brendshme italiane parashikonte një kontroll të trefishtë parlamentar nga Komisioni i Përhershëm parlamentar, nga Bordi i Zgjedhjeve dhe nga Dhoma e Deputetëve dhe se neni 13 i Konventës, sipas Gjykatës, nuk kërkon rishikimin gjyqësor të një vendimi të Parlamentit, kur ai ka tagrin ekskluziv që të shprehet mbi vendimmarrjen konkrete. Procedura ligjore e parashikuar në ligjin Severino nuk cenonte nenin 13 të Konventës.
Fakti që ekzistenca e një dënimi penal të formës së prerë pengon kandidimin në zgjedhje apo passjell humbjen e mandatit, në rast të zgjedhjes si deputet, për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut është tërësisht në përputhje me qëllimin e ligjvënësit. Në konkluzion, Ligji Severino (dhe ligji shqiptar për Dekriminalizimin) është në përputhje të plotë me nenin 7 dhe nenin 13 të Konventës. Sot që po bëhen gati shtatë vjet nga miratimi i ligjit të dekriminalizimit, vendimi për çështjen “Galan kundër Italisë” i dha të drejtë Partisë Demokratike dhe përgjigje në mënyrë përfundimtare pretendimeve të Partisë Socialiste, të cilat me këtë vendim janë rrëzuar njëherë e përgjithmonë.
NË VEND TË EPILOGUT
Në fillim të këtij shkrimi ju tregova atë që unë dhe kolegët e mi mendonim dhe bëmë propozimin dhe hartimin e ligjit për dekriminalizimin në vitin 2014, duke parë se Parlamenti dhe administrata ishin mbushur me njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale. Në atë vit, kompania “Apple” lajmëroi prodhimin dhe hedhjen në qarkullim të “iPhone 6” dhe “iPhone 6 Plus”, të cilët u konsideruan si avancimi më i madh në historinë e të gjithë “iPhone”. Sot, në 2021, teksa GJENDNJ (Strasburgu) ka nxjerrë vendimin me sipër, njerëzit përdorin “iPhone 12 Pro”. Me këtë dua t’ju them se bota po ndryshon çdo ditë, e bashkë me të po ndryshon edhe krimi, i cili po vjen duke u sofistikuar gjithnjë e më shumë. Krimi është fatkeqësisht një hap para gjithmonë dhe mundësia e vetme që kanë politikanët është të parandalojnë sa mundin. Në 2014, kur ne filluam diskutimet për ligjin e dekriminalizmit, të dënuarit dhe elementët kriminalë kandidonin e zgjidheshin personalisht në Parlament apo funksione të tjera publike.
Ndërsa sot krimi zgjedh kandidatët që do të kandidojë, mbështet kandidatë të caktuar që përfaqësojnë interesat e tij më së miri dhe vendos në këto pozicione njerëz të besuar. Skuadra tjetër përdori makineri të reja, ndërkohë që një mik i imi më thoshte se do ta bënte fushatën në mënyrën tradicionale. Rezultati tregoi se e kishte gabim. Bota ndryshon çdo dite. Edhe opozita e 2021 duhet të ndryshojë nga ajo e 2014, detyra e saj është ndryshimi i strategjisë për të luftuar krimin dhe kontratën e politikës me krimin. Në vitin 2014, ne kemi bërë më të mirën e mundshme dhe projektligji ynë ka pasur të gjitha cilësitë e “iPhone 6”. Aq dinim, aq bëmë. Ndërsa sot, opozita duhet t’i përshtatet luftës ndaj krimit në variantin e tij dhe në format që ai shfaqet aktualisht, duke qenë kështu në lartësinë e një “iPhone 12 Pro”. Kontrata e krimit me politikën ka ndryshuar. Është bërë update sipas “Iphone 12 Pro”. Me tri kamera, me shpejt, më efikase, më e kamufluar! Vendimi i Strasburgut dhe shkrimi sot është një përgjigje për kolegët e 2014, ndërsa politikanët aktivë të 2021 duhet të mendojnë të ndryshojnë strategji pasi krimi dhe skuadra e tij në politikë bën çdo ditë update dhe ecën para. Bota po ndryshon çdo ditë miq!
Humbja e Anglisë në finalen e Euro2024/ Bellingham: U ndjeva si kokë turku, më iku buzëqeshja