zoom

Aktualitet

Zjarri në urgjencën e QSUT, Prokuroria përfundon hetimet! Dërgohen në gjyq dy specialistë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim për veprën penale “Shpërdorim Detyre” dy specialistë të sektorit të inxhinierisë klinike pranë QSUT për zjarrin e rënë në urgjencë rreth 1 vit më më parë, më datën 29 shkurt 2024.

Sipas organit të akuzës, dy të akuzuarit Enea Koka dhe Ejnar Shena, nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit.

Prokuroria informon se specialistët:

– Funksionimin e sigurtë dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, ku përfshihen UPS-të dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore;

-Nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive;

-Nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë;

Nga hetimet ka rezultuar se shkaku i zjarrit në urgjencë ka ardhur për shkak të “mungesës së një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon për gjykim për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal shtetasit E.K. dhe E.Sh, specialistë të sektorit të inxhinierisë klinike pranë QSUNT-së Tiranë.

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.1578 të vitit 2024, që ka të bëjë me  ngjarjen e datës 29.02.2024 ku rreth orës 05:25, në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, në godinën e “Urgjencës së Re”, në katin e 2-të të saj, në dhomën teknike kishte rënë zjarr, prokuroria arriti në përfundimin se specialistët me veprimet e tyre nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit si:

– Funksionimin e sigurtë dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, ku përfshihen UPS-të dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore;

Nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive;

Nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë; si dhe

Nga aktet e administruara ata kanë qenë në dijeni të faktit që UPS-të dhe bateritë janë vendosur në katin 2-të godinës të Urgjencës se re, jashtë kushteve teknike dhe standardeve që kërkohen nga prodhuesi, për instalimin dhe funksionalitetin e tyre, megjithëse e kanë patur si detyrë funksionale dhe ofrimin e konsulencës teknike.

Në kuadër të këtij procedimi, u krye dhe akti i ekspertimit teknik elektrik, nga i cili ka rezultuar se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së “Urgjencës së Re” në QSUNT ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”.

Postime të lidhura