Aplikacion
Ngjarja është shënuar rreth orës 23:20 në një lokal në lagjen nr.3, para godinës së Bashkisë Memaliaj.
Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit. Të vrarë kanë mbetur kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela. Po ashtu në gjendje të rëndë është edhe Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me të vëllanë Shyqyri Kalemi, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Autorët, që dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona, kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit. Një prej tyre ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të 74-vjeçarit Shyqyri Kalemi, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit. Plumbat kapën dhe vëllanë e tij, si edhe kamarierin që ishte pranë tavolinës. Ndërkohë, klienti që mbeti vdekur ka qenë brenda në lokal.
Policia dhe grupi hetimor kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat do të ndihmojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, si edhe mund të hedhin dritë në identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. 3 persona janë shoqëruar në polici dhe kanë dhënë dëshmi.
Pistë hetimi është hakmarrja, pasi 74-vjeçari është babai i Andrea (Adriatik) Kalemit. Ky i fundit dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022. Andrea Kalemi është kushëri i parë me Alksandër Sadikaj, i cili mbeti i vrarë në një tjetër atentat në zonën e Saukut në qershor të 2022.
Disa muaj më vonë, në 16 dhjetor 2022 në Tiranë u ekzekutua biznesmeni nga Fieri me banim në Sarandë, Edmond Papa. Vrasja e tij, thuhet se u krye si hakmarrje për ekzekutimin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj.
Andrea Kalemi, vëllai i Zamir Kalemit ka rezultuar në dosjen hetimore të vrasjes së Edmond Papës si person i cili ishte interesuar për eleminimin e biznesmenit nga Saranda.
I moshuari nuk arriti ti shpëtojë plumbave të kallashnikovit siç ndodhi me dy djemtë e tij që kishin arritur t’i shpëtonin atentateve të mëparshme.
Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë kanë shkuar në Memaliaj për të ndihmuar në identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Gjithashtu kanë shkuar dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.