Aplikacion
Shtatë kandidatët gjithashtu kanë nisur me premtimet e tyre, të cilat thonë se do t’i realizojnë në rast se zgjidhen president. Kandidati i LSDM-së dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, sot ka mbajtur tubim në Makedonski Brod. Ai tha se në mandatin e tij të parë ka qenë president i të gjithë qytetarëve dhe nuk e ka privilegjuar askënd.
“Pavarësisht nëse ka ardhur dikush nga Makedonski Brodi apo Shkupi, të gjithë ju jeni pritur në mënyrë të barabartë tek unë. Askush nuk mund të thotë se ka qenë i privilegjuar sepse është maqedonas, shqiptar, vlleh, turk, rom, boshnjak, sepse në pesë vitet e fundit kam punuar shumë dhe kam menduar se jam president i të gjithë qytetarëve”, tha Stevo Pendarovski, sipas raportimit nga agjencia “INA”.
Kandidatja e opozitës maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova, në tubimin e saj në qytetin e Negotinës, iu kundërvu edhe mendimit të filozofit Hegel, i cili thotë se çdo popull e meriton qeverinë që e ka. Sipas Siljanovska, Hegeli e ka gabim sepse qytetart e RMV-së meritojnë një president dhe kryeministër më të mirë se ata që i kanë tani. “Ky vend është larg nga një vend i së drejtës, vendi ynë është partiak! Unë mendoj se ju nuk e meritoni këtë pushtet, që duhet ndryshuar dhe pas këtyre zgjedhjeve presidenciale, ju premtoj se do të bëj atë që prisni nga unë. Do t’ju vërtetoj çdo ditë se legjitimiteti im buron nga ju dhe jo nga askush tjetër”, tha Siljanovska.
Kandidati Stevçe Jakimovski sot ka mbajtur tubim në Krushevë, prej premtoi forcim të rolit të Maqedonisë në NATO dhe strukturat evropiane dhe më shumë respekt për shtetin dhe qytetarët e saj. “Misioni im do të ishte ngritja e dinjitetit të Republikës së Maqedonisë, ajo që ne kërkojmë është vetëm pak më shumë respekt për Maqedoninë dhe për qytetarët, dhe ajo që duhet t’i themi Bashkimit Evropian është se jemi të gatshëm të presim te dera të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, dhe që edhe atëherë nuk do të jemi gati”, tha Jakimovski.
Kandidati për president nga Fronti Europian, Bujar Osmani sot ka bashkëbiseduar me të rinjtë e Tetovës për mbajtjen e tyre në vend. Osmani ka ndarë vizionin për të ardhmen, me theks fuqizimin e politikave rinore drejt perspektivave dhe progresit.
“Të rinjtë me një kuptim tjetër për zhvillimin teknologjik të botës, të jenë pjesë e dizajnimit dhe arkitektët e politikave shtetërore për të ardhmen e njerëzve. Në lidhje me arsimin e të rinjve Osmani theksoi se duhet të përgatisim njerëz për tregun e punës të pas 40 viteve, a të dhënat flasin se “AI” do të shkurton rreth 50% të vendeve të punës vetëm për 10 vite, dhe ne duhet të përgatisin të rinjtë për atë treg të punës për dekadat që vijnë, dhe presidenti do të jetë një prej atyre që do nxit një vizion të rij për procesin arsimor, ku kreativiteti dhe inovacioni do të jetë po aq i rëndësishëm sa shkrim leximi”, tha Osmani.
Kandidatja e “Të Majtës”, Biljana Vankovska, sot ka mbajtur takim me qytetarë në qendër të qytetit të Shkupit, prej ku tha se garon me platformë origjinale që nuk e ka asnjë kandidat tjetër.
“Ne nuk veprojmë me çështjen nëse bullgarët do të jenë në Kushtetutë, por po veprojmë për një kushtetutë krejtësisht të re, sepse kjo prodhon një sistem politik dhe kushtetues-juridik jofunksional. Ne planifikojmë ta ndërpresim Marrëveshjen me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës do të jetë gjithashtu objekt i rishqyrtimit, pra i sfidës në periudhën në vijim. Në një periudhë pesëvjeçare do të shfaqen shumë çështje të dhimbshme dhe serioze”, tha Vankovska.
Kandidati për president i VLEN-it, Arben Taravari sot në Shkup me aktivistet sportiv shënuan, Ditën Ndërkombëtare të Sportit. Travari u shpreh se sporti duhet të promovohet nga të gjitha institucionet për arsye se është mënyra më e mirë për ta ruajtur shëndetin.
“Është konstatuar shkencatarisht që sa më shumë të rinj bëjnë sport, aq më mirë qëndrojnë me shëndetin. Në Maqedoninë e Veriut mendoj se shteti, por edhe presidenti, edhe qeveria duhet të investojë sa më shumë në ndërtim të terreneve sportive ose në jetën sportive të të rinjve. Është investuar një periudhë, por ka pasur edhe stagnime dhe mendoj se ka zona dhe rajone në Maqedoni ku aspak nuk ka teren sportiv”, u shpreh Taravari.
Ndërsa kandidati me numrin 7, Maksim Dimitrievski ka mbajtur tubim në Vallandovë, prej ku tha se prioriteti i tij do të jetë që ta lëvizë për para procesin e integrimit evropian.
“Do të formohet një ekip i posaçëm i ekspertëve të BE-së, i cili do të fillojë një proces negociator për përshtatjen e kornizës negociuese në përputhje me rrethanat reale të brendshme shoqërore lidhur me çështjet historike të kontestuara nga fqinji ynë lindor, të cilat lidhen drejtpërdrejt me gjenezën e identitetit kombëtar maqedonas”, tha mes tjerash Dimitrievski.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë është përcaktuar për më 8 maj. /ZOOM.AL/