Aplikacion
Më 25 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.
Lista Serbe, që e cilësoi këtë veprim të kundërligjshëm, e mirëpriti vendimin e PZAP-it dhe tha se vendimi i 23 dhjetorit ishte përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.
Në vendimin e tij, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.
Pra, sipas PZAP-it, Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.
Njohësit e zhvillimeve politike më herët gjatë javës i thanë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ata paralajmëruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të marrë vendim në favor të Listës Serbe dhe do të obligojë KQZ-në që ta certifikojë këtë parti.
Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.
Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.
Ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiç, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një rreshter të Policisë së Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ e kanë argumentuar moscertifikimin e Listës Serbe me atë se kjo parti, sipas tyre, asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”.
Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiçit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi./REL