zoom

Bota

Zelensky: Të punosh me Trump do të ishte e vështirë, por ne jemi punëtorë të zellshëm

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruae se të punosh me Donald Trump nëse ai rizgjedhet si president i SHBA-së do të jetë “punë e vështirë, por ne jemi punëtorë të palodhur”.

Në një intervistë për BBC, Zelensky tha se është i gatshëm të punojë me këdo që është në pushtet në SHBA.

Vetëm disa ditë më parë, Trump shpalli senatorin e Ohajos JD Vance si kandidatin e tij në votimin e nëntorit. 39-vjeçari në të kaluarën ka thënë se “nuk i intereson çfarë ndodh me Ukrainën në një mënyrë apo në tjetrën”.

Kandidimi i tij ka ripërtërirë frikën se angazhimi i SHBA ndaj Ukrainës mund të bjerë nëse Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Ndoshta atij vërtet nuk i intereson, por ne duhet të punojmë me Shtetet e Bashkuara”, tha Zelensky për BBC.

Udhëheqësi ukrainas ndodhet në Britaninë e Madhe për një takim të Komunitetit Politik Evropian, ku mbajti një fjalim të enjten pasdite.

Ai më parë u takua me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, i cili është zotuar të qëndrojë me Ukrainën për “për aq kohë sa duhet” dhe është zotuar të shpenzojë 3 miliardë £ për ndihmën për vendin.