zoom

Aktualitet

Zbardhet vendimi/ Gjykata e Lartë urdhëron SPAK të hetojë “21 Janarin”

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë, që më 12 mars urdhëroi Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion të regjistrojë një procedim penal për ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011.

Vendimi u mor, pasi familjarët e Aleks Nikës, një prej 4 demonstruesve të vrarë, kërkuan hetime për rastin. Vrasja e Nikës ka mbetur pa autor.

Familjarët të cilët kanë në duar dhe disa regjistrime të komunikimeve të bëra atë ditë nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi me vartësit e tij, bënë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme, duke kërkuar vënien përpara përgjegjësisë dhe të ish kryeministrit Sali Berisha e ish-ministrit të Brendshëm të kohës Lulzim Basha.

Por kërkesa e tyre u refuzua për moskompetencë, nga Prokuroria e Posaçme. Si Gjykata e Posaçme, dhe ajo e Apelit të Posaçëm, mbrojtën të njëjtin qëndrim, me argumentin se hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Tiranës, nuk kanë zbuluar elementë penalë ndaj subjekteve që hyjnë në juridiksionin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.

Vendimi i Gjykatës së Lartë:

Kolegji çmon të evidentojë – me këtë rast – se – në konformitet me përcaktimet e nenit 46 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut – Palët Kontraktuese (ku përfshihet edhe Shqipëria) – kanë detyrimin e konformimit ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës (GJEDNJ), në çdo çështje ku ato janë palë, përmes ekzekutimit të tyre. Një nga efektet e kësaj procedure është se në rastet kur GJEDNJ konstaton shkelje, shteti i paditur ka detyrimin ligjor jo vetëm për të paguar personave përkatës shumat e dhëna si shpërblim i drejtë, në bazë të nenit 41, por edhe për të zgjedhur masat e përgjithshme dhe/ose individuale më të përshtatshme që duhet të ndërmerren për t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga GJEDNJ. Në këtë kontekst, Kolegji sjell në vëmendje se përsa i përket masave individuale dhe zbatimin e nenit 46 të Konventës, në paragrafin 178 të vendimit, është shprehur se, “Gjykata vëren se hetimi penal është ende i hapur. Duke pasur parasysh këtë, ajo konsideron se autoritetet duhet të vazhdojnë (për aq sa kjo është e mundur) përpjekjet e tyre që synojnë zbardhjen e rrethanave të vdekjes së A.N. dhe identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, aty ku është e përshtatshme.” Rrjedhimisht, duke mbajtur parasysh (edhe) konkluzionet e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të datës 14 Nëntor 2023 (çështja Nikaj kundër Shqipërisë), lidhur me zgjidhjen efektive dhe për forcën detyruese dhe ekzekutimin e vendimeve të kësaj Gjykate, edhe për këtë shkak, Kolegji konsideron se vendimet e gjykatave të posaçme (gjyqtarit për hetimet paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Gjykatës së Posaçme të Apelit) duhet të ndryshohen, duke u urdhëruar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal, për kallëzimin e datës 16.02.2023, me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke mbajtur në konsideratë edhe vendimmarrjen e mësipërme të GJEDNJ”.

PËR KËTO ARSYE,

”Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në konformitet me përcaktimet e neneve 291, pika 4 dhe 441, pika 1, shkronja “dh”, të Kodit të Procedurës Penale”

VENDOSI:

Ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023’’, thuhet në vendim.