zoom

Aktualitet

Zbardhet ngjarja e rëndë që i mori jetën foshnjës 6-muajsh

Një ngjarje e rëndë u regjistrua ditën e sotme në Tiranë, ku një banesë u përfshi nga flakët dhe për pasojë humbi jetën një foshnjë 6-muajsh.

Ngjarja ndodhi në lagjen pranë Maternitetit të ri, ku foshnja ndodhej në shtëpi së bashku me gjyshen e tij. Sipas informacioneve shkak i zjarrit në fakt është bërë një qiri që ishte ndezur në shtëpi, për shkak se nuk kishte drita.

Dëshmitarë të ngjarjes dhe banorë të lagjes thanë se 4 orë para ngjarjes, e moshuara Janulla Lilaj kishte shkuar të blinte qirinj në një dyqan afër banesës së saj, pasi nuk kishte energji elektrike, sepse ia kishin ndërprerë, pasi e moshuara nuk e kishte paguar. Teksa ndodhej vetëm në banesë me nipin e saj, gjyshja kishte ndezur qiriun dhe e kishte vendosur mbi komodinë.

Të moshuarën e ka zënë gjumi dhe e ka lënë qiriun ndezur. Komodina, ku ishte vendosur qiriu, ka marrë flakë dhe më pas flakët janë shpërndarë në të gjithë banesën. E moshuara është zgjuar nga gjumi dhe, kur ka parë flakët, ka dalë jashtë banesës për të kërkuar ndihmë.