zoom

Stil

Ylli francez, Gerard Depardieu akuzohet për përdhunim! Çfarë ndodhi gushtin e 2018-ës

Aktori francez, Gérard Depardieu është vënë zyrtarisht nën hetim, sa i takon akuzës për përdhunim që rëndon mbi të. Bëhet fjalë për tre vite më parë, ku sipas denoncimit të bërë, Depardieu përdhunoi një aktore 22-vjeçare brenda shtëpisë së tij.

Vajza e akuzon drejtpërsëdrejti artistin për abuzim seksual në gushtin e 2018-ës, në Paris. Avokati i tij tha për agjencinë franceze të lajmeve AFP se Depardieu kundërshton plotësisht pretendimin në fjalë dhe se hetimi nuk duhej të ishte bërë publik.

Një hetim fillestar mbi akuzën e përdhunimit nisi në vitin 2019, por prokurorët gjykuan se provat ishin të pamjaftueshme, shkruan BBC. Më pas hetimi u rihap sërish verën e shkuar dhe në dhjetor të 2020-ës zyrtarisht 73-vjeçari u shpall nën hetim. Aktualisht aktori ndodhet në gjendje të lirë, por nën mbikëqyrje gjyqësore.

Avokatja e aktores, Elodie Tuaillon-Hibon tha për AFP se shpreson që identiteti i klientes së saj të mbetet privat, përgjatë çështjes ligjore.

Depardieu, i aftë të ndërthurte ndër vite fizikun e tij të fuqishëm me delikatesën në ekran, numëron 170 role si dhe çmime të ndryshme. Në vitin 2013, aktori mori shtetësinë ruse, përmes një dekreti të nënshkruar personalisht nga Presidenti Vladimir Putin. Disa nga rolet e tij kryesore janë ato në filmat Jean de Florette, Green Card dhe Cyrano.