zoom

Aktualitet

“XIBRAKA”/ SPAK thërret Gazmend Bardhin për akuzat ndaj Olsi Ramës

Pas denoncimeve publike për lidhje të Olsi Ramës me organizatën kriminale të trafikut të drogës në Xibrakë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi duhet të paraqitet në SPAK për të dhënë më shumë sqarime.

Ai është ftuar nga prokurorët e posaçëm të premten në orën 10:00, duke shtyrë kështu takimin e planifikuar për nesër për shkak të një vizite zyrtare të Bardhit në Bundestag.

“Në vijim të kërkesës së Kreut të Grupit të PD Gazment Bardhi për pamundësinë për tu paraqitur nesër në SPAK, për shkak të një vizite zyrtare në Bundestag, ju informoj se z. Bardhi do të paraqitet më datë 24.05.2024, ditën e premte, ora 10:00, me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dojsa “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, Tiranë”, njoftoi SPAK.

Denoncimi i Bardhit për Olsi Ramën:

Prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar (9 shtetasë, prej të cilëve 7 shqiptarë dhe 2 kolumbian) nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në datën 08.03.2016 Prokuroria për Krime të Rënda ka ndarë procedimin për “bashkëpunëtorët e paidentifikuar” duke e emërtuar me nr. 335/1 të procedimit, për të cilin ka vlerësuar se kishte nevojë për hetime të tjera lidhur me identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminale për të cilët hetimet duhet të vazhdonin.

2. Në shumicën e raporteve të shërbimit të grupeve policore të vëzhgimit, ku rezulton të jenë identifikuar të gjithë personat e përfshirë, evidentohet githmonë një person i paidentifikuar që përshkruhet si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”. Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit Edi Rama, ka lindur më 09.09.1969 dhe në periudhën Dhjetor 2014-Janar 2015 ka qenë 45 vjeç. Nga pamja e fotografisë së tij rezulton gjithashtu se ai është një person “me flokë të shkurtra”.

3. Në takimin e datës 13.01.2015 me pothuajse të gjithë anëtarët e grupit kriminal, “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, që ka mbetur i paidentifikuar, ka qenë përdorues i automjetit me targa AA653DM.

4. Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se Olsi Rama është përdorues i automjetit me targa AA653DM.

5. Automjeti me targa AA653DM, në drejtimin e të cilit ishte anëtari i paidentifikuar dhe që cilësohet si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, rezulton të jetë përdorur edhe nga pjesa tjetër e drejtuesve të grupit kriminal, ku përfshihen Genci Xhixha, Ermal Hoxhën dhe Gentian Gjonaj.

6. Pra, automjeti me targa AA653DM, që në datën 13.01.2015 në takimin e organizuar mes anëtarëve të organizatës kriminale, drejtohej nga personi i paidentifikuar dhe i cilësuar si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria, sipas sistemit TIMS, nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal).

7. Përdorimi i të njëjtit automjet më së paku provon një miqësi të konsoliduar mes Olsi Ramës dhe personave drejtues të organizatës si Genci Xhixha apo Gentian Gjonaj.

8. Dyshimi i hetuesve shqiptar ka qenë se Genci Xhixha është njoftuar paraprakisht për mundësinë e arrestimit dhe është larguar nga territori shqiptar në mënyrë ilegale më datë 14 Janar 2015. Vëllai i Kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, rezulton nga sistemi TIMS të ketë datë nga Shqipëria më datë 14 Janar 2015, në orën 15.38 min, nga pika e kalimit të kufirit “Morinë” në Kosovë, me një automjet që rezulton çuditërisht si asnjëherë tjetër i paregjistruar në sistem.

9. Nga verifikimi i sistemit TIMS, Olsi Rama, ashtu si Genci Xhixha, konstatohet se ka hyrje-daljet më të shpeshta dhe me kohë të shkurtër qëndrimi nga muaji Tetor 2014-në muajin Janar 2015, kohë në të cilën shtrihet periudha e përgatitjes deri në finalizimin e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

10. Nga verifikimi i sisitemit TIMS rezulton se vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë, Olsi Rama, ka dalë jashtë territorit shqiptar, me date 07/11/2014, një ditë përpara mbërritjes në Shqipëri, të dy shtetasve kolumbian Cesar Adolfo Avila Gutierrez dhe Walther Moren Morena, të cilët me njohuritë e tyre kimike bënë të mundur fillimin e procesit të përpunimit të kokainës. Sipas gjykatës shqiptare rezulton se një person i paidentifikuar, ka bërë të mundur ardhjen në Shqipëri të tyre në datën 08/11/2014.