zoom

Bota

Vuçiç thirrje ndërkombëtarëve: Merrni masa ndaj kokëfortëve, po na prishin paqen të gjithëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kërkon nga ndërkombëtarët që të marrin masa të tjera që do të tërheqin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nga qëndrimi i tij për tensionet në veri.

Në një intervistë për “CNN”, Vuçiç akuzoi Kurtin se po prish paqen dhe stabilitetin dhe se Serbia, sipas tij, kërkon vetëm të mbrojë të drejtat e saj në rrugë paqësore.

“Mesazhi im për serbët që po protestojnë, e di se ata janë të vendosur të luftojnë për të drejtat e tyre elementare. Ata vetëm duan të mbijetojnë, të drejtën për të ruajtur emrin dhe mbiemrin e tyre dhe për të jetuar atje ku kanë jetuar gjithmonë. Këshilla dhe lutja ime për ta është ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Duhet të bisedojmë me shqiptarët dhe të arrijmë marrëveshje që do të zbatohen në të ardhmen. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hapa seriozë kundër atyre që janë kokëfortë dhe që po e përshkallëzojnë situatën në terren dhe po na prishin paqen dhe stabilitetin e të gjithëve”, tha Vuçiç.

Lideri i Serbisë u shpreh se pala serbe i ka zbatuar të gjitha detyrimet ndërkombëtare nga Marrëveshja e Brukselit, ndërsa Prishtina nuk ka bërë të mundur krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiç theksoi se nuk diskutohet për njohjen e Kosovës, por për normalizimin e marrëdhënieve.