zoom

Kosova

Vritet polici serb, autori nga Kosova. Vuçiç: Vdiq si një hero! Kurti: Mos politizohet

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç, njoftoi se një zyrtar policor është vrarë në qytetin perëndimor Loznicë në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Ministria e Brendshme e Serbisë deklaroi se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit të lëshuar nga autoritetet e Kosovës me emrin e Artan Hajzirit dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Sipas raportimeve të medieve serbe, ngjarja e rëndë ka ndodhur, në momentin që një grup shqiptarësh janë kontrolluar nga Policia e Serbisë.

Nga plagët e marra ka ndërruar jetë polici Nikola Krsmanoviç (34), ndërsa Vjekoslav Iliç (50) është lënduar lehtë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Siç mëson jozyrtarisht “Novosti”, pas ndalimit nga policia kufitare, Artan Hajziri (33) ka thënë se ishte nisur për të vizituar një shok të tij në Loznicë dhe pasi pjesëtarët e MPB-së i kërkuan që t’u tregonte çantën që mbante, shqiptari hapi zjarr.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i ka dërguar mesazh ngushëllimi familjes së policit të vrarë, të cilin e ka përshkruar si hero.

“Jam jashtëzakonisht i tronditur me lajmin për vdekjen e zyrtarit policor, Nikolla Kërsmanoviq, i cili është vrarë në një sulm tinëzar derisa ka qenë duke kryer detyrën e tij të vështirë”, ka thënë Vuçiç përmes një komunikate të lëshuar nga Presidenca serbe.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.

Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.