zoom

Aktualitet

Vrau kushëririn e plagosi 3 veta për pronat, vetëdorëzohet në polici autori

Është vetëdorëzuar në polici autori i vrasjes së dy ditëvë më parë ku si pasojë një konflikti për pronën mbeti i vrarë Romeo Hasalla 30 vjeç.

Sipas policisë, autori i ngjarjes Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici vetëm pas ndjërmjetësimit të drejtorit të Policisë së Fierit, Ferdinand Mara. Autori ngjarjes ndodhet në komisariatin e Lushnjës.

“Në vijim të punës intensive dhe kontrolleve të pandërprera që prej mëngjesit të datës 29.07.2021 deri ditën e sotme, në banesa dhe në zona ku dyshohej se mund të ishte fshehur autori i tretë i ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, u bë arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, K. H., 49 vjeç, banues në Garunjas, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia bëri të ditur se, dy vëllezërit Afrim dhe Kastriot Hasalla pas një konflikti për tokën, që duket se ka vite që ka nisur, kanë qëlluar me armë gjahu xhaxhain e tyre dhe tre djemtë e tij. Për pasojë, Shaip Hasalla dhe dy djemtë e tij, Laert dhe Emiljano Hasalla kanë mbetur të plagosur, kurse djali i tretë, Romeo Hasalla ka ndërruar jetë.

Romeo Hasalla nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra nga të shtënat me armë gjahu, çifte. Në kërkim për ngjarjen veç dy vëllezërve Afrim dhe Kastriot Hasalla është shpallur dhe djali i këtij të fundit, Marjus Hasalla, shkruan neësbomb.al. Nuk dihet nëse ai ka dorë në vrasje apo ka ndihmuar të atin të largohet.

Nëna e 30 vjeçarit që vdiq, është shprehur se se djemtë e kishin mbjellë me ullinj tokën që ishte bërë shkak për sherrin dhe konfliktin me kushërinjtë.

“Çunat e patën mbjellë, është toka ime, vajtën atje dhe nuk di nëna më gjë. Për punë toke. Do ketë prishur ullinjtë që ka mbjellë çuni, vajtën me zetor për të prishur ullinjtë andej”, thotë mes lotësh nëna e viktimës.

Si ndodhi ngjarja:

Shuaip Hasalla dhe tre djemtë e tij kanë shkuar sot në mëngjes të punojnë tokën. Më pas aty kanë mbërritur me çifte Kastrioti dhe Afrimi, të cilët kanë hapur zjarr. Viktima, baba i dy fëmijëve të mitur, kishte dy ditë që ishte kthyer nga Greqia.

Pas ngjarjes, forcat e policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve, ndërsa ka pasur negociata me familjarët për dorëzimin e tyre. Policia gjithashtu ka shpallur në kërkim një person të tretë, me iniciale M.H, djali i një prej autorëve të dyshuar.