zoom

Aktualitet

Vrau kreun e organizatës së kokainës, Belgjika dënon me 30 vite burg shqiptarin. Dinamika e krimit

Juria Gjykatës së Brabantit Flaman, në Leuven, e ka shpallur fajtor shqiptarin Afrim Mema, 39 vjeç, për vrasje në Strombeek-Bever dhe e ka dënuar atë me 30 vjet burgim.

Edit Mema, 42 vjeç, pa lidhje farefisnie me autorin, u vra nga katër të shtëna në trup dhe një goditje fatale në kokë. Viktima rezultoi se ishte kreu i një bande shqiptare që tregtonte kokainë ndërkombëtarisht. Nxitja ose vetëmbrojtja e ligjshme në një ngjarje dinamike, siç u paraqit nga mbrojtja, u refuzua nga juria.

Në arsyetimin e saj, juria iu referua raportit të mjekëve dhe ekspertëve balistikë.

“Viktima ka qenë pak a shumë në gjunjë ose i përkulur. Prandaj është e pamundur që vdekja të ketë qenë aksidentale dhe nuk ka as më të voglin dyshim se ai ka pasur qëllim t’i marrë jetën Edit Memës”, thanë hetuesit.

Juria vuri në dukje edhe qetësinë e përshkruar nga dëshmitarët dhe patrulla e policisë. Veprimet përgatitore dhe tentativa për asgjësimin e gjurmëve tregonin edhe për një “akt gjakftohtë”. Një shenjë paramendimi për jurinë ishin edhe arma e gatshme dhe arma rezervë, biçikleta e shpejtë dhe e palosshme. Juria iu përgjigj gjithashtu versionit të mbrojtjes se kishte nxitje ose vetëmbrojtje.

“As hetimi dhe as seanca nuk treguan se kishte një shkak të menjëhershëm për të mbrojtur veten ose familjen e tij. Kërcënimi i paraqitur nga viktima për të rimarrë një ngarkesë të humbur kokaine arriti kulmin pasi ai ishte tashmë në Belgjikë dhe tashmë po kryente vëzhgime. Prandaj është gjithashtu e sigurt se vizita kërcënuese nuk ka qenë arsyeja e vdekjes së Edit Memës”, u tha në gjyq.

Juria vuri në dukje në arsyetimin e saj se Afrim Mema ishte dënuar tashmë me dy vjet burg në rininë e tij për sulmi të rëndë.

“Ai nuk mësoi asnjë mësim nga ky dënim. Gjatë këtij gjykimi, ai tregoi një ndjenjë veçanërisht të dobët faji, e cila u dëshmua edhe nga ekzaminimi i kufizuar mendor i cili u ndërpre me kërkesën e mbrojtjes. Para familjeve të viktimave gjatë seancës ai tregoi pak dhembshuri”.

Megjithatë, juria e konsideroi si rrethanë lehtësuese rrugëtimin e vështirë të Afrim Memës gjatë adoleshencës së tij, gjë që e bëri atë të gjendej i lënë në duart e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Me një dënim prej 30 vitesh burgim, juria shpreson t’i bëjë përshtypje të dënuarit.

“Dënimi, shpresoj, do ta lejojë atë të ndërgjegjësohet për seriozitetin e fakteve dhe do ta largojë atë nga kryerja e krimeve të reja”, nënvizoi kryetarja e Gjykatës së Lartë.

Edit Mema, 42 vjeç, u vra më 8 prill 2020, në një piceri në Strombeek-Bever, në entin Grimbergen. Viktima ishte kreu i një bande trafikantësh shqiptarë që vepronin në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Nga hetimet rezultoi se e gjithë ngjarja kishte lidhje me trafikun e drogës dhe më pas u zbulua se pronari i picerisë që mbeti i vrarë ishte kreu i një organizate drogë. Ndërsa pas vdekjes së tij në krye të organizatës u vendos i vëllai, teksa gruaja mbajti për ca kohë një rol dytësor, derisa u spostua nga organizata.

Në dhjetor 2020 u kryen një sërë kontrollesh nëpër banesat e të dyshuarve. Kjo tregoi se 12 anëtarët, kryesisht shqiptarë dhe bullgarë, importonin dhe eksportonin kokainë nga Strombeek-Bever. Ata kanë tregtuar të paktën 84 kilogramë kokainë.

“Ato e importuan drogën nga Kolumbia në Holandë. Ata merrnin kokainë me një nivel pastërtie nga 95 deri në 96%”, tha prokurori i çështjes. /ZOOM.AL/