zoom

Aktualitet

Vrasje e shpërthim me eksploziv, arrestohet në Luksemburg anëtari i “Bandës së Niklës” (EMRI)

Edison Pula, i cili akuzohet për vrasje, është arrestuar në Luksemburg dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.

Anëtari i “Bandës së Niklës” është dënuar me 14 vjet burgim, për disa vepra penale të rënda.

30 vjeçari, i lindur në Krujë, akuzohet për “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Finalizohet një tjetër operacion, në koordinim me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Operacioni “Together”, në pranga 1 shtetas i dënuar me 14 vjet burgim, për disa vepra penale të rënda, dhe 1 shtetas i akuzuar nga autoritetet franceze.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Shqipëri, për disa vepra penale të rënda, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve me homologët e FAST Luksemburgut, nëpërmjet koordinimit të rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Together”.

Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Edison Pula, 30 vjeç, i lindur në Krujë, i dënuar me 14 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.

Më tej, gjatë këtij operacioni, në bazë të një urdhër arresti europian, të lëshuar nga autoritetet franceze, u vu në pranga shtetasi A. S., 31 vjeç.

Zyrat homologe të Interpolit po vijojnë bashkëpunimin, për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtyre shtetasve.

Saga e arratisjeve të Edison Pulës

Një arratisje spektakolare me protagonist shqiptarët ka ndodhur më 9 qershor 2022 në burgun e Trevisos.

Dy nga tre të burgosur u kapën gjatë tentativës për t’u larguar, pasi kishin prerë hekurat e qelisë dhe ishin ulur me çarçafë.

I vetmi që ika shpëtuar arratisë ishte, Edison Pula, i cili ishte ndaluar me një urdhër-arresti europian për tentativë vrasjeje, grabitjeje, posedim eksplozivi dhe krime të tjera të trafikut të drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë.

Në 2016-ën, Edison Pula është arratisur edhe nga ambientet e komisariatit të Krujës. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur duke përfituar nga pakujdesia e dy efektivëve, e më pas Pula ka arritur të kapërcejë murin rrethues të komisariatit.

Edison Pula dhe 8 të tjerë akuzohen për atentatin me tritol ndaj Gentian Bejtjas në shtator të 2016-ës, ku 35-vjeçari mbeti i plagosur në këmbë.

Edison Pula në Shqipëri është akuzuar për “Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municioneve luftarake”./ Zoom.al

Postime të lidhura