Aplikacion
Të shtënat me pushkë mbi autokolonën e presidentit të SHBA-së e ndryshuan jetën time. Isha duke parë i shokuar në televizor sesi “miku im” Leee arvey Oswald po tërhiqej zvarrë i përgjakur në stacionin e policisë në Dallas. Kur agjentët e shërbimit sekret trokitën në derën e shtëpisë sime mëngjesin e ditës së nesërme, ata erdhën të më kapnin si dikush që ishte identifikuar si një “bashkëpunëtor i njohur” i vrasësit të supozuar të John Kennedy.
Njohja ime me Lee dhe Marina Oswald ndodhi në qershorin e vitit 1962. Herën e fundit, i pashë më 22 nëntor 1962, teksa po vraponin për të kapur autobusin e linjës që shkonte nga Fort Worth për në Dallas. Një vit më vonë, babai im shërbeu si përktheu për Marinën nga datat 24-28 nëntor, kur shërbimi sekret po e merrte në pyetje mbi informacionet që ajo kishte mbi komplotin.
Ndërsa Amerika po mbante zi për presidentin e vrarë, Komisioni Warren nisi hetimin mbi për rrethanat e eleminimit të tij. Dëshmia ime para komisionit ndodhi më 31 mars 1964. Komisioni nuk donte të humbte kohë. Në rast se atentati kishte qenë një komplot, këtë duhej ta dinim, dhe sa më shpejt madje.
I përbërë nga zyrtarët më të shquar të kohës, Komisioni Warren (i kryesuar nga kryegjykatësi Earl Warren), arriti në përfundimin pas qindra mijëra faqeve dëshmi dhe dëshmi fizike, se një i ri me probleme psikologjike (Oswald) e vrau presidentin, dhe se ai veproi i vetëm.
Kur u publikuan këto përfundime më 24 shtator 1964, publiku e pranoi në përgjithësi këtë variant. Por më shumë se gjysmë shekulli më vonë, 60 për qind ndryshuan mendje, duke qenë më shumë të bindur se Kennedy ishte viktimë e një komploti të mirë-organizuar. Me kalimin e kohës, nuk janë zbehur as polemikat mbi vendimin e komisionit për “një person të armatosur që qëlloi”.
Në përvjetorin e 60-të, prisni të dalin në skenë një mori provash të reja, teori të reja dhe madje edhe dëshmitarë të rinj, për të plotësuar gati 1500 librat që janë shkruar tashmë mbi këtë temë. Rreth 90 për qind e atyre rrëfimeve, promovojnë teori konspirative, ku shumica e cilësojnë Oswald një “kukull” të drejtuar nga pas nga forca më të errëta dhe më të këqija. Po ashtu, mos prisni ndonjë zbulim të bujshëm nga publikimi i 14.000 dokumenteve të fundit të Arkivave Kombëtare mbi Kenedin. Edhe publikimet e qershorit dhe gushtit të këtij viti, përbëhen kryesisht nga materiale të redaktuara më parë, që kanë pak të bëjnë me vrasjen dhe me shumë me operacionet e CIA-s në mbarë botën.
Kështu, raporti i Komisioinit Warren la pas një trashëgimi të qëndrueshme të mosbesimi ndaj qeverisë. Për pasojë, mbi 20 për qind e amerikanëve kanë fajësuar “qeverinë” (përfshirë CIA-n) për vdekjen e JFK. Ndërkohë një numër edhe më i madh, beson se qeveria ka qenë e përfshirë në komplote të tjera të ngjashme.
Për shembull, ata besojnë se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ishin sërish të organizuara nga qeveria amerikane, apo se Uashingtoni gënjeu qëllimisht mbi armët e dëmshme që kishte Iraku, për të justifikuar pushtimin e tij. Çdo teori e re tërheq ndjekësit e saj dhe ndjekja e komploteve është një biznes fitimprurës.
Madje edhe më shumë sesa narrativa se “Oswald e kreu vrasjen i vetëm”. Raporti i Komisionit Warren, luajti që në fillim një lojë të humbur përkundër besimit të rrënjosur thellë se dikush apo diçka ishte në krye të komplotit. Disa pretendojnë se një Rend i Ri Botëror apo një “shtet i thellë” kontrollon gjithçka.
Ngjarjet që e ndryshojnë historinë, siç është edhe vrasja e një presidenti, nuk mund të jenë aspak aksidentale apo të rastësishme. Sipas kësaj logjike, grupi kompleks i rrethanave që e çuan Oswald-in në katin e gjashtë të magazinës së librave shkollorë në Teksas më 22 nëntor 1963, duhej të planifikohej dhe zbatohej nga forca të plotfuqishme klandestine.
“Burrat e vegjël” si Oswald nuk e bëjnë vetë historinë, por ata mund të ulen pa u vënë re në rreshtin e fundit. Hapësira për konspiracione u krijua thuajse menjëherë pas atentatit. Kishte shumë të dyshuar, përfshirë Bashkimin Sovjetik, Kubën, mafien, të djathtët e Dallasit, CIA-n dhe ata që qëndronin pas interesave të naftës.
Një teori, e cila mund të ketë origjinën në Kremlin, thotë se babai im, Pete Gregory, ia kaloi fajin Osvaldit duke e përkthyer qëllimisht keq Marinën nga rusishtja. Unë jam akuzuar për mbi 50 takime të fshehta me atentatorin e ardhshëm, për të komplotuar ndonjë akt të lig, për të cilën unë nuk kam realisht dijeni.
Si një vizitor i rregullt tek çifti Oswald, kam qenë dëshmitar sesi fëmija i tyre i vogël flinte në një valixhe të hapur. Po ashtu kam parë Marinën me sytë e nxirë nga dhuna e Lee, për shkak të xhelozisë së këtij të fundit ndaj rusëve të tjerë me të cilët takohej e shoqja, apo kur sfidohej për bindjet e tij marksiste.
Si një ndërmjetës i komunitetit rus të Dallasit, unë shkaktova pakënaqësi tek Lee, pasi Marina arrinte të kontaktonte me bashkatdhetarët pavarësisht izolimit që i vendosi ai. Më vonë, i shkrova një letër Marinës, ku nxirrja në pah pikërisht dobësitë që Lee donte të mbulonte.
Edhe pse çifti ruajti pothuajse çdo letër që merrte, letra ime rezulton e zhdukur. Misteri mbi vrasjen e Kennedy-t nuk do të zgjidhet kurrë. Çdo komplotist i kohës ka vdekur ose ka heshtur deri më sot kur është në të 90-at. Nëse do të kishte vërtet një komplot, është e jashtëzakonshme që heshtja e komplotistëve (dhe fëmijëve dhe nipërve të tyre) të mbetet e pandërprerë gjatë 6 dekadave.
Është e vërtetë:ka shumë mospërputhje dhe kontradikta, që sigurojnë ushqim për komplotistët. Midis tyre, është një e shtënë që supozohet se erdhi nga një lëndinë aty pranë, trajnimi i supozuar i dobët i Oswald, takimi i tij me një agjent të KGB-së në Mexico City dhe autopsia me shumë të meta që iu krye trupit të presidentit të ndjerë.
Por disa nga shpjegimet që përpiqen të japin teoricienët e konspiracionit janë qesharake, si për shembull që Oswald nuk ishte Osvald, por një sozi që ishte agjent i KGB-së. Konspiracionistit në fjalë i kushtoi shumë para kostoja e zhvarrosjes së Oswald, vetëm për të provuar se e kishte gabim.
Pavarësisht pretendimeve nga palët, duket se kemi një konsensus:Oswald ishte qitësi ndaj presidentit nga dritarja e katit të gjashtë të magazinës së librave, duke lënë hapur 2 opsione. Ose Oswald ishte vegël e një komploti shumë kompleks të hartuar nga diku lart, ose e planifikoi vetëm dhe ekzekutoi njeriun më të ruajtur në botë.
Kur reduktohet në këtë lloj zgjedhje, turma e konspiracionëvet duket se është e avantazhuar:A mund të besohet, që një njeri që s’ka mbaruar as shkollën e mesme, që punon për bukën e gojës, të jetë aq i kualifikuar sa të vrasë i vetëm një president? Përgjigja ime është se ne e kemi nënvlerësuar shumë Oswald.
Ai ishte në fakt një bombë me sahat, dhe tërësisht i aftë të planifikonte dhe kryente vrasjen e Kennedy. Siç shkroi Norman Mailer në librin e tij “Përralla Oswald: Një mister amerikan”, nuk është mjekësia ligjore, autopsitë, trajektoret apo plumbat që nuk janë gjetur, por vetë Lee Harvey Oswald, ai që mban çelësin e atentatit.
Ne duhet të shikojmë tek ai për të vendosur nëse kishte mjetet, motivin, intelektin dhe gjeneralin për të kryer i vetëm atentatin. Për aq kohë sa arrita të njoh çiftin Oswald, them se Oswald kishte mjetet, intelektin dhe motivin për ta vrarë Kennedy-n, dhe se ai e bëri këtë i vetëm. Oswald që njihja unë ishte këmbëngulës, mashtrues dhe manipulues.
Ai ishte një gënjeshtar shumë bindës, një planifikues i kujdesshëm që e detyroi Byronë Politike të BRSS ta lejonte të largohej nga vendi me kërcënimin e një vetëvrasje të inskenuar. Po ashtu, e bindi ambasadën e SHBA-së në Moskë që t’ia kthente pasaportën. Ai mori ndihmë financiare kur kishte nevojë nga nëna e tij që dikur e përbuzte.
Ai u kthye në Teksas me gruan Marina, me para të marra hua nga ambasada amerikane. Sa i përket mjeteve dhe motiveve, Oswald i ishte mësuar që në fëmijëri nga një nënë e çmendur se ai ishte një tip i veçantë. Se ishte i destinuar të bëhej një njeri i madh, po të mos ishin forcat e fuqishme të rreshtuara kundër tij. Edhe pse një komunist i njohur, ai rezistoi të identifikohej si “klasë punëtore”. Ai kishte një inat që i vlonte brenda vetes, dhe do t’i tregonte botës se i përkiste librave të historisë.
Lajmi i Ramës, reagon TikTok: Adoleshentët që u konfliktuan s’kishin llogari. Duam sqarime urgjente