zoom

Aktualitet

Vrasja e Alfred Dedjas në Ndroq, policia gjen makinën e autorit te “Shkëmbi i Kavajës”

Mëngjesin e sotëm grupi hetimor që ka marrë në dorëzim çështjen e vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja në Ndroq, ka arritur të gjejë automjetin e autorit të ngjarjes, Julian Gjoshi, të braktisur në zonën e njohur si “Shkëmbi i Kavajës”.

Shumë pranë mjetit, në të cilin sipas pamjeve vërehet se grupi hetimor po kryen procedurat për dokumentimin e shenjave të gishtërinjve në derën e shoferit, është gjetur edhe targa e tij.

Sakaq, 27-vjeçari Julian Gjoshi vijon ende të mbetet në kërkim pasi kreu vrasjen në lokalin “Kështjella” në Ndroq.

Ai qëlloi mbi Dedjan 5 herë duke e lënë të vdekur në vend.Pista kryesore e hetimit mbetet prishja e pazareve të drogës.

Sipas saj edhe autori dhe viktima janë persona me precedentë penalë, me të ndjerin që ka qenë i arrestuar dhe dënuar më parë në Itali për trafik droge.

“Policia ka pistë kryesore atë të konflikteve për prishje të pazareve të drogës. Të dy protagonistët si autori Julian Gjoshi në kërkim dhe viktima janë persona me precedentë penalë. Një vepër penale që rëndon në Itali edhe mbi viktimën 50-vjeçar, ka qenë me precedentë jo vetëm në territorin shqiptar ku ishte arrestuar më herët me akuzën e armëmbajtjes pa leje, por edhe në Itali ka qenë i proceduar, arrestuar e dënuar për trafik të lëndëve narkotike”.

Policia ka marrë në pyetje familjarë të 27-vjeçait Julian Gjoshi, të cilët janë shprehur se nuk janë në dijeni të rrethanave të krimit.

“Janë kryer kontrolle në disa zona jo vetëm, në Shijak që është origjina e autorit 27-vjeçar, por edhe në Tiranë e Durrës. Autori vijon ende në kërkim. Janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje familjare dhe rrethi miqësor i 27-vjeçarit Gjoshi. Ata janë shprehur se nuk janë në dijeni për rrethanat e krimit apo ndonjë konflikt të mundshëm mes autorit dhe krimit. Edhe familjarë të viktimës kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni”.

Ndërkohë sot policia është rikthyer në vendin e krimit për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të siguruar dëshmi të reja.