Aplikacion
Autoritetet kanë shtuar përpjekjet për parandalimin dhe minimizimin e pasojave ndërsa drejtues të Ministrisë së Brendshme thanë se po punojnë për plotësimin e boshllëqeve ligjore në varësi të zhvillimeve teknologjike.
Në Shqipëri dhuna online, me të gjithë elementët e saj mes të miturve, po shkakton një shkallë të gjerë shqetësimi, në strukturat arsimore, policore dhe në komunitetin e prindërve.
Ekzistenca e mjaft platformave sociale, si Whatsapp, YouTube, TikTok, Instagram apo Snapchat e kanë bërë thuajse të pamundur kontrollin e plotë të përmbajtjes së komunikimeve të tyre nga prindërit apo mësuesit.
Në mjaft raste të miturit bien pre e kërcënimeve, fyerjeve, lojrave të papërshtatshme për moshën apo bullizimit nga bashkëmoshatarët e tyre, gjë që më pas reflektohet në sjellje agresive dhe konflikte fizike mes tyre në mjediset e shkollës.
Ky shqetësim ishte pjesë e një seance të tensionuar edhe në komisionin e sigurisë juridike në Senatin Amerikan pak kohë më parë, ku ishin thirrur për të dëshmuar drejtues të disa platformave sociale. Ata u vunë në qendër të kritikave të ligjvënësve amerikanë dhe aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve se nuk po bëjnë mjaft për të mbrojtur fëmijët.
Zëri i Amerikës arriti të sigurojë disa postime të të miturve shqiptarë në këto rrjete, pjesë e hetimeve të policisë, ku dallohet qartë përmbajtja e një dhune të ashpër.
Ajo që sot vihet re dhe raportohet më së shumti, nga stafi mësimor dhe policia janë rastet në rritje kur konfliktet online, si sharjet, fyerjet, shantazhi apo bullizmi vazhdojnë më tej në mjediset e shkollës ku shpeshherë kthehen në konflikte fizike.
Disa nxënës të një shkolle të mesme në Tiranë që kërkuan të mbeten anonim, i thanë Zërit të Amerikës se rrjetet sociale po keqpërdoren gjithnjë e më shumë nga bashkëmoshatarët e tyre.
“Kemi degradime të plota, ka patur dhe konflikte. Kemi shtim të rasteve. Është një rrezik i madh që këto raste mund të shtohen më shumë në të ardhmen. Ka një shpërndarje relativisht të dallueshme të gjuhës së urrejtjes në rrjete sociale, edhe pse ka një sasi të vogël të empatisë, në përgjithësi ka një gjuhë urrejtje që përhapet edhe në shkollë” – u shpreh një nxënës i një shkolle të mesme në Tiranë.
“Ka raste që mes të rinjve në rrjetet sociale ka bullizëm. Ka raste që transferohet më pas dhe në shkollë” – shtoi një nxënese tjetër e një shkolle të mesme në Tiranë.
Një tjetër nxënës tregon se gjuha e ashpër online, përhapet në shkollë me sharje, fyerje dhe goditje.
Rritja e rasteve të dhunës në rrjete sociale mes të miturve, e cila më pas vijon në mjediset shkollore, pranohet edhe nga autoritetet shtetërore dhe stafet pedagogjike.
Keqpërdorimi i platformave sociale ka sjellë atë që quhet bullizëm kibernetik, një fenomen në rritje, që pasqyrohet në forma nga më të ndryshmet mes të cilave me ngacmime, kërcënime apo shpërndarje imazhesh të papërshtatshme.
“Konfliktet mund të nisin nga tematika të ndryshme, qoftë dhe nga shakatë që nisin me njëri-tjetrin dhe më pas nuk i përballojnë dot pasi marrin përmasa të tjera. Vijnë nga lojra online, ose menaxhimi i atyre që quhet nerva të lojës. Ka raste që përshkallëzohet deri në konflike fizike. E nëse nuk shkon deri aty, lëndimi është po njësoj i rëndë tek pjesa e ndikimit psikologjik dhe emocional, i cili është po aq i dëmshëm”- u shpreh për Zërin e Amerikës Bora Bektashaj, psikologe në Shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, Tiranë.
“Zhvillimet tekonologjike kanë lehtësuar komunikimin, por nga ana tjetër kanë hequr mekanizmet e kontrollit mbi komunikimin e të miturve”- shprehet për Zërin e Amerikës, Zv. Ministrja e Brendshme Romina Kuko.
Duke folur për vështirësitë e parandalimit të dhunës online mes tyre, Zonja Kuko, nënvizon se autoritetet po punojnë për plotësimin e vakumeve ligjore në këtë drejtim, në varësi të zhvillimeve të reja teknologjike.
“Nga raportimet që ne kemi nga të miturit, mësohet se zanafilla e këtyre konflikteve ka nisur nga sharjet nëpër komunikimet online. Shokë apo shoqe që zihen me njëri-tjetrin dhe nuk flasin, për hakmarrje hapin faqe ku hedhin fotot e bashkëmoshatarëve të tyre me kërcënime sharje, ofendime sepse ju duket si lojë. Po shohim opsionet për të patur ndryshime ligjore, që të kemi mundësi të thellojmë pjesën e kontrollit dhe të goditjes së këtyre fenomeneve. Nëse aktualisht e kemi këtë për keqpërdorimin e thirrjeve telefonike duhet të kemi sanksione edhe përsa i takon keqpërdorimit të mjeteve teknologjike. Do jemi në komunikim dhe me platformat mëdha, për të siguruar një rrjet të atyre që quhen përdorues të besuar. Nëse unë dhe ju shohim një material shqetësues duhet të ketë një mekanizëm që ato platfoma të heqin menjëherë”- thotë Romina Kuko, Zv Ministre e Brendshme.
Konfliktet mes të miturve që e kanë zanafillën në rrjete sociale, sipas autoriteteve zyrtare kanë ardhur duke u rritur vit pas viti. Prej disa vitesh në shkolla ka filluar të funksionojë një strukturë e re për paradalimin dhe zgjidhjen e tyre, ajo e oficerit të sigurisë, krahas psikologut apo punonjësit social.
“Kjo është ajo që është për t’u shqetësuar. Nga komunikimet në rrjetet sociale, nxënësit fillojnë bashkohen në mjediset e shkollës fillojnë dhe debatojnë, fillojnë me shikime, me një prekje krahu për të gjetur mënyrën e kontaktit fizik me njëri- tjetrin, për ta vijuar konfliktin. Na është dashur punë shumë e madhe për të komunikuar me këta nxënës, për të identifikuar problemin në mënyrë që të mos kalojë në dhunë fizike”- u shpreh Xhesika Gremi, oficere sigurie në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, në Tiranë.
Ministria e Brendshme i tha Zërit të Amerikës se po i kushton rëndësi sigurisë në shkolla. Oficeri i sigurisë një strukturë e re e shtrirë në 150 shkolla të mesme po jep rezultate pozitive sipas saj në parandalimin e konflikteve mes nxënësve.
Një rëndësi të veçantë për studiuesit merr komunikimi dhe ndërgjegjësimi i prindërve dhe i nxënësve për të denoncuar rastet e dhunës online, apo konfliktet e ndryshme në shkollë. Raportimet janë rritur thonë autoritetet, duke shtuar mundësinë e parandalimit dhe përshkallëzimit e tyre. Vetë nxënësit thonë se raportojnë te mësuesja kujdestare, drejtoresha apo te strukturat e tjera si punonjësi social, psikologu apo oficeri i sigurisë.
Shqetësimet për pasojat e fenomeneve të dhunës online janë në rritje. Autoritetet thonë se ndryshimet ligjore për t’i ardhur në ndihmë të miturve në përdorimin e sigurt të rrjeteve sociale, apo mbrojtjes së tyre nga fenomene të dhunës online dhe krimet kibernetike, nevojiten mjaft ndryshime ligjore, si në Kodin Penal, në atë për komunikimet elektronike, apo në Ligjin për Policinë e Shtetit. Së shpejti pritet që ato të jenë pjesë e konsultimeve me grupime të ndryshme shoqërore që mbrojnë të drejtat e fëmijëve si dhe komunitetin e prindërve./VOA