zoom

Politikë

Përplasje mes Bashkisë së Vlorës dhe kreut të dorëhequr të Ujësjellësit/ “Ka vjedhur vulën dhe librat e protokollit”

Konflikt gjatë mbledhjes së drejtuesve të bashkisë dhe Ujësjellësit. Mësohet se sot, me kërkesë të kryetarit të Bashkisë ishte thirrur një mbledhje me drejtuesit e Ujësjellësit Vlorë.

Pas mbledhjes situata ka agravuar, kur ish-kreu i ujësjellësit, Shkëlqim Leskaj i cili ka dhënë dorëheqjen disa javë më parë, nuk ka pranuar të lirojë zyrën. Sipas burimeve, Leskaj nuk ka pranuar të iki nga detyra.

Në komisariatin e Vlorës ka shkuar edhe kryebashkiaku Dritan Leli për të sqaruar situatën. Burime nga policia bënë me dije se Leli ka ngritur akuzë për Shkëlqim Leskaj për vjedhje të librave të protokollit, vulës së institucionit.

Mësohet se Leskaj ka firmosur tre tendera edhe pse ka dhënë dorëheqjen më 6 gusht. Bëhet fjalë për një tender me vlerë 400 mijë euro për sahatet e ujit, një tender për klorifikimin dhe një tjetër për uniformat.

Ndërkohë në institucion mungonin vula dhe librat e protokollit. Madje as punonjësja e protokollit nuk ka qenë në institucion.