Aplikacion
Dosja në fjalë, e cilësuar nga Partia Demokratike si afera më e madhe korruptive në sistemin e shëndetësisë së vendit është regjistruar në SPAK më 18 shkurt të vitit 2020, gati një javë pas depozitimit të kallëzimit penal të PD-së.
Selia blu kallëzoi dy vite më parë 10 persona, mes të cilëve ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, ministren aktuale Ogerta Manastirliu, drejtues dhe ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe aksioneren e kompanisë përfituese të Check-Up, Vilma Nushin.
Nisur nga kallëzimi i depozituar në SPAK, prova dhe fakte tregojnë shkelje të ligjit në dy faza, në procedurën e dhënies me koncesion, përzgjedhjen e fituesit, si dhe zbatimin e kontratës.
Zoom.al mëson se SPAK ka marrë në duar kontratën e nënshkruar si dhe dokumente nga kompania e zonjës Nushi, ndërkohë që krahas kësaj të fundit janë marrë në pyetje edhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Bëhet me dije se Vilma Nushi ka përfituar mjediset dhe energjinë elektrike e ujë falas te qendrat shëndetësore publike, ku kryhen kontrollet mjekësore. Këto, Nushi i ka pasqyruar në bilancet tatimore për të rritur kostot fiktivisht, sikur paguan qira vjetore zyrash, energji e ujë te Ministria e Shëndetësisë, në OSHEE e ujësjellësa, kur faktikisht këto i paguan shteti.
Po kështu, thuhet se biznesmenia ka falsifikuar numrin e kontrolleve mjekësore, të cilat sipas KLSH-së, rezultojnë të jenë kryer në masën 40%-50% të numrit total që përcakton kontrata koncesionare e sipas llogarisë, vjedhja është afro 7 milionë Euro me TVSH në vit.
Një tjetër pistë hetimi, SPAK ka dhe shitjen e koncesionit “Check-up” për 300 mijë Euro, nga 130 milionë Euro që është vlera e kontratës, duke ia dhënë një shtetasi anglez për të humbur gjurmët, i cili është burri i mbesës së Vilma Niushit (vajzës së motrës).
Thirrja e Vilma Nushit në SPAK vjen pas marrjes në pyetje të Ilir Beqjas nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe pas thirrjes së tretë të ish-zv/ministrit të Shëndetësisë të LSI-së, Klodian Rrjepaj.
Dhënë si tender në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Ilir Beqja, SPAK po heton të gjithë përgjegjësinë ligjore dhe përgjegjësi që përmban detyra e tij asokohe.
Çfarë përmban dosja e nxehtë e Check-up?
Shtatë janë akuzat që ka ngritur lidhur me këtë çështje Partia Demokratike; si korrupsioni aktiv e pasiv, shpërdorimi i detyrës apo përfitimi i paligjshëm.
Sipas PD-së, Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe se procedurat koncesionare kanë qenë fikitive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar.
Po ashtu, në kallëzim thuhet se zyrtarët e kallëzuar, edhe pse janë të detyruar me ligj, nuk kanë ushtruar kontrolle ndaj koncesionarit për të parë nëse respektohet afati i realizimit të analizave prej 3 orësh.
Lulzim Basha do të ironizonte nga Kuvendi PPP-në e Check Up-it duke thënë se për shkak të moskryerjes së procedurave të rregullta nga ana e kompanisë, gratë kanë rezultuar me prostatë dhe burrat shtatzënë.
Po kështu, ka pasur denoncime që mjekë të familjes u kërkohej të plotësonin numrin dhe normën e koncesioneve mujore dhe ditore, ndërkohë që zyrtarisht mjekët s’duhej të merreshin me koncesionin, pasi kjo ishte detyrë e punonjësve të kompanisë./ Zoom.al