zoom

Politikë

Protesta te Bashkia e Tiranës, qytetarët godasin me mollë e bojë të zezë godinën: Veliaj dorëhiqu!

Ka nisur pak më parë protesta e radhës e Aleancës Qytetare dhe opozitës para bashkisë së Tiranës, për skandalin e dosjes së korrupsionit me tenderët “5D”, ku janë arrestuar 3 drejtorë të kryebashkiakut Erjon veliaj dhe 5 të tjerë janë nën akuzë.

Përfaqësuesit kërkojnë dorëheqjen e Veliajt, hetime të thelluara dhe mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak, teksa Policia ka rrethuar me efektivë të shumtë godinën.

Tubimi nisi me momente kur protestuesit hedhin bojë të zezë dhe mollë në drejtim të Bashkisë së Tiranës. Nuk mungojnë edhe thirrjet “Hajdutë” apo “Veliaj dorëhiqu!”.

Opozita, por edhe qytetarë po protestojnë që prej orës 11:00 para bashkisë, pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen ‘5D’.

Anëtari i Këshillit Bashkiak nga opozita, Tedi Blushi, në fjalën e tij në protestën para Bashkisë Tiranë, tha se ka ardhur koha që populli të arrestojë të korruptuarit. Ai u shpreh se sot protestojnë kundër vjedhjes e dhe betonizimit të Tiranës.

“Jemi këtu për të protestuar kundër vjedhjes së taksave. Policia është në krahun e hajdutit. Vidhen para me inceneratorin që nuk ekziston, protestojmë kundër betonizimit të Tiranës nga mafia e betonit që ka zaptuan bashkinë e Tiranës. Kam sot një mesazh për kolegët e opozitës që duhet ti prijmë popullit dhe jo të fshihemi pas kaçubave pas popullit.

Duhet të dalim në ballë për t’i prirë popullit. Koha që populli të arrestojë të korruptuarit. Do të hyjmë në zyrën tënde Veliaj e do të të arrestojmë në fillim ty e më pas Ramën”, tha ai.

Tubimet e kaluara u hodhën “Molotov”, vezë, fruta dhe perime, teksa pati edhe konfrontime me policinë. /ZOOM.AL/