Aplikacion
Të paktën kështu duket në një nga video e postuar nga Blendi Fevziu në rrjetet sociale.
Pamjet e publikuara nga Fevziu janë xhiruar më 31 korrik, 1 ditë më parë. Ato tregojnë plazhin të boshatisur, ndonëse është kulmi i sezonit dhe ai duhet të ishte i gjallëruar nga lëvizjet.
“Meqë ka një debat shumë të madh për çështjen e turizmit në Shqipëri jam në Gjirin e Gramës, gjirin më të bukur ndoshta të jugut, gji i cili nuk gjen vend nëse vjen në korrik dhe gusht. Është data 31 korrik dhe është ora 3 e gjysmë e pasdites dhe shikojeni si është situata.
Janë dy varka bosh, të gjithë shezlongët bosh. Janë vetëm 5 turistë të huaj në fund që janë duke qëndruar poshtë shkëmbit dhe 8 veta që po hanë drekë dhe po pinë në dy kafet. Është një nga perlat e Shqipërisë krejtësisht bosh, krejt. Nuk më ka ndodhur kurrë që ta shoh Gramën kështu, ndoshta vetëm në tetor. Bosh, bosh, bosh tani se kush e ka fajin këtë nuk e di”, shprehet Blendi Fevziu në videon e tij.
Por video e publikuar nga Fevziu ka shqetësuar qeverinë. Vetë kryeministri nxitoi të postojë një video për të treguar një realitet tjetër.
Në video shfaqet një skaf me disa pushues të cilët duket lehtësisht që po pozozjnë, sikur të kenë shkuar posaçërisht.
“Gjiri i Gramës si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit”, shkruan Edi Rama në Instagram.
I njëjti postim është shpërndarë edhe nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, si për të treguar se e vërteta është ndryshe nga ajo për të cilën flet Blendi Fevziu.
Fezviu sigurisht që nuk ka monopolin e të vërtetës, por video e tij është reale. Siç janë reale edhe pamjet e shumta që vijnë nga plazhet bosh të jugut.
Kryeministri Rama deklaroi pak ditë më parë se kishte një sulm të koordinuar nga jashtë për të dëmtuar turizmin, një qëndrim ky që u komentua si justifikim për të mbuluar dështimin e turizmit këtë vit.
Mesa duket, tani qeveria po sheh në lupë çdo postim mbi turizmin dhe ka vënë në gatishmëri makinerinë e propagandës me një armatë të tërë fotografësh, kameramanësh, montazhierësh e IT-sh për të reaguar në kohë ndaj çdokujt që tregon që plazhet tona janë bosh. /Zoom.al