Aplikacion
Komisioni parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” e nisi punën në mënyrë të njënashme, pasi Kuvendi miratoi në prill vetëm me votat e Partisë Socialiste ngritjen e tij mbi bazën e një rezolute të iniciuar nga kryeministri Edi Rama.
Iniciativa u prit me mosbesim dhe u komentua si një përpjekje për “kapjen e institucioneve të drejtësisë”, pavarësisht se një numër ambasadash të akredituara në vend deklaruan më pas pjesmarrjen e ekspertëve të tyre në komision.
Opozita e ka bojkotuar komisionin prej fillimit, ndërsa refuzimi në seri i ftesave nga institucionet e drejtësisë e lënë mazhorancën të vetmen palë në tryezë.
Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë njoftuan njëri pas tjetrit të ditët e para të tetorit se nuk do të marrin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me ekspertë në këtë komision. Me arsye të ndryshme, pjesmarrjen e refuzuan edhe organizatat e shoqërisë civile.
Nëpërmjet në letre dërguar Kuvendit të mërkurën, Gjykata Kushtetuese e argumentoi refuzimin me faktin se pjesmarrja në proceset ligjbërëse ishte “një konflikt në ushtrimin e funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”.
Edhe Prokuroria e Posaçme, SPAK, bëri me dije të enjten se “prokurorët nuk e konsideruan të nevojshme pjesmarrjen me ekspertë në këtë komision..”.
Gjykata e Lartë i kujtoi Kuvendit “pavarësinë” dhe “paanshmërinë” e pushtetit gjyqësor, duke e konsideruar të papërshtatshme për misionin dhe funksionin e gjyqtarit pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë si anëtarë të një nëngrupi teknik në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm.
Edhe Prokuroria e Pergjithshme bëri të ditur të premten se “nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit”, por shtoi se ka caktuar “pika kontakti” sipas fushave përkatëse të ekspertizës.
Këshilli i Lartë Gjyqësor po ashtu i tha BIRN-it të premten se nuk do të dërgonte përfaqësues si ekspertë në grupin e punës së komisionit, por do të caktonte një pikë kontakti që do të kontribuojë me propozime dhe opinione.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë po ashtu ka dërguar një përgjigje të ngjashme, ndërsa mbetet ende pa një vendimmarrje Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pavarësisht se në gusht njoftoi se kishte pasur “dakordësim” për t’u përfaqësuar me dy prokurorë.
KLP i tha BIRN të premten se “nuk ka një vendimmarrje për këtë çështje” dhe se diskutimet ishin bërë në seanca informale të Këshillit.
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafa, nguroi të jepte një qëndrim për refuzimin e institucioneve të drejtësisë, ndërkohë që prej dy muajsh komisioni nuk ka zhvilluar mbledhje. I kontaktuar nga BIRN, Xhafaj tha se do të mbante një qëndrim publik për ecurinë e komisionit javën që vjen.
Përveç institucioneve të drejtësisë, BIRN mësoi se komisioni “Xhafaj” është bojkotuar edhe nga disa organizata të shoqërisë civile, të cilat janë aktive në monitorimin e institucioneve të drejtësisë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim si dhe Instituti i Studimeve Politike nuk e kanë pranuar ftesën për të dërguar ekspertë pranë komisionit.
Drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, i tha BIRN se i kanë komunikuar komisionit pamundësinë për t’u angazhuar në proces, “për shkak të mungesës së burimeve njerëzore’.
Edhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, sipas komunikimit zyrtar me Kuvendin, argumenton se i ofron komisionit vetëm ekspertizë nëpërmjet raporteve të kryera nga kjo organizatë dhe jo ekspertë që të punojnë në stafin e brendshëm të tij.
Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike, një prej organizatave që ka refuzuar ftesën për të dërguar ekspertë, i tha BIRN se refuzimi i institucioneve të drejtësisë ishte i drejtë, pavarësisht se i vonuar në kohë.
“Komisioni i posaçëm është një strukturë politike e parlamentit, e përbërë nga politikanë me qëllime dhe ligjërime politike, kurse institucionet e pavarura dhe kushtetuese të drejtësisë janë institucione që do të duhet të jenë jashtë politikës,” tha Krasniqi për BIRN.
“Nëse do të kishin pranuar, do të kishin humbur konceptin e pavarësisë së tyre, do të kishin cënuar parimin kushtetues për të cilin janë ngritur, do të ishin në konflikt interesi dhe do të njësonin deridiku pushtetet,” shtoi ai.
Krasniqi ngre pikëpyetje për vonesën e dhënies së përgjigjeve, që sipas tij, tregon që ka pasur një debat të brendshëm.
“Nuk mundet që institucione që luftojnë korrupsionin të shkojnë të bëhen pjesë në një komision parlamentar, ku ka dhe individë që janë të akuzuar për korrupsion apo nën hetim, pavarësisht retorikës që përdorin,” tha më tej Krasniqi.
Përfaqësuesit e opozitës kritikojnë mungesën e transparencës, ndërsa theksojnë se komisioni ka punuar deri tani “në errësirë”, jo vetëm për publikun, por edhe për anëtarët e opozitës të zgjedhur “ex officio”.
Deputetja Jorida Tabaku i tha BIRN se ka kërkuar zyrtarisht të njihet me listën e ekspertëve që po punojnë pranë këtij komisioni dhe ka marrë përgjigje refuzuese, ndërsa shtoi se në dijeninë e saj ka në këtë grup persona politikë që nuk garantojnë paanshmëri të procesit.
“Aq sa kam parë emra nëpër media, pak ekspertë janë të njohur në fushën e integrimit, ndërkohë që ka shumë nga ata të lidhur politikisht, duke filluar nga ish-zëvendësministra dhe angazhimi i personave që kanë lidhje politike me partinë në pushtet,” tha Tabaku.
Sipas Tabakut, procesi përveç se është në mungesë transparence është gjithashtu një proces “që lë shteg për të paragjykuar atë produkt që do të nxjerrin në të ardhmen”./BIRN