Aplikacion
Por që në fillimet e procesit të rivlerësimit ra në sy se “kosa” priste më shumë në anën e burrave, madje edhe shumë magjistrate gra që u penalizuan me shkarkim, e pësuan për shkak të problemeve që u vinin nga bashkëshortët, babai apo vëllezërit.
Shtatë vjet më vonë, kur procesi ka përfunduar në shkallën e parë të vetingut, raportet gjinore në sistem janë përmbysur. Bazuar në të dhënat nga vendimet e formës së prerë deri në dhjetor 2024, për magjistratët që iu nënshtruan rivlerësimit, në sistem janë konfirmuan 343 gjyqtarë e prokurorë. Nga këta 52.7 për qind (181) e të konfirmuarve janë magjistrate dhe 47 % (162) janë magjistratë.
Burrat magjistratë, të cilët u futën me 20 pikë për qindje më shumë në “garë”, humbën shumicën dërrmuese gjatë rivlerësimit, qoftë përmes shkarkimit për shkak të problemeve me pasurinë, integritetin apo profesionalizmin apo qoftë përmes dorëheqjes e largimit për një periudhë 15-vjeccare nga sistemi i drejtësisë.
Ekspertët thonë se edhe pse nuk mund të tërhiqet një vizë barazimi mes korrupsionit, mungesës së integritetit dhe gjinisë, ndryshimet shihen si pozitive dhe së paku si një shkundje e sistemit.
“Me gjasë, të paktën për një kohë, do sjellë një ulje të praktikave korruptive bazuar në një lloj ‘path dependecy’, pra varësie nga trajektorja e atyre që nuk kanë qenë të tillë në të shkuarën dhe do vazhdojnë të punojnë me ndershmëri”, thotë Elona Dhembo, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe autore e studimit “Përkatësia gjinore dhe korrupsioni në shërbimin civil”.
Për UN Women, një agjenci e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dedikuar avancimit të barazisë gjinore, ky ndryshim raporti është “një zhvillim i rëndësishëm nga pikëpamja e barazisë gjinore në Shqipëri”.
Hendeku gjinore në veting
Të dhënat e mbledhura nga BIRN mbi vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerëve Publike dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tregojnë se ka në sistemin e drejtësisë ka pasur një hendek të qartë gjinor.
Konkretisht, nga 805 magjistratë iu nënshtruan procesit të rivlerësimit të pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, 323 apo 40.1% ishin femra dhe pjesa tjetër, 60% ishin meshkuj.
Por në përfundim të procesit në KPK, u konfirmuan në detyrë 375 magjistratë vetëm 46% e totalit, dhe prej këtij numri 186 janë gra dhe 189 janë burra. Praktikisht 57.5 për qind e magjistrateve gra që iu nënshtruan procesit u konfirmuan në detyrë, përkundër vetëm 39.2 për qind e meshkujve.
Të dhënat tregojnë se e njëjta situatë është edhe në shkallën e dytë të procesit dhe po ashtu edhe sa i përket ankimeve nga Komisioneri Publik.
Kështu Komisioneri Publik, deri në dhjetor 2024, ka bërë 123 ankimime, kryesisht ndaj vendimeve të KPK-së për të konfirmuar në detyrë një magjistrat apo magjistrate. Nga këto vetëm 46 ankimime janë për gjyqtare e prokurore, ndërsa 77 janë për magjistratë meshkuj.
Të dhënat e mbledhura nga vendimet publike tregojnë se gratë magjistrate “mbijetuan” në më shumë edhe në fazën e dytë të rivlerësimit. Në 32 ankimime për magjistratet gra të shqyrtuara deri në dhjetor 2024, 56% (18) e tyre u konfirmuan edhe në shkallën e dytë, ndërkohë në 51 ankime të shqyrtuara ndaj burrave magjistratë, vetëm 16 (31%) u konfirmuan në detyrë nga Kolegji.
Diferencë ka edhe kur shikon vendimet e Kolegjit që kanë pranuar ankim të subjekteve ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Nga 17 vendime, në të cilat KPA ka prishur vendimin e KPK për të shkarkuar një subjekt, 9 janë për magjistrate gra dhe 8 janë për magjistratë burra.
Por edhe pse në dukje ka një ndarje të qartë gjinore dhe statistikisht rezulton që burrat magjistratë kanë treguar më pak integritet, dyshohet se janë përfshirë në korrupsion apo kanë një sërë problemesh të tjera, ekspertët janë të kujdesshëm kur i interpretojnë këto rezultate.
Pedagogia Elona Dhembo thotë se me shumë gjasë këto rezultate i atribuohen faktit se burrat kanë pasur pushtetin dhe po ashtu edhe mundësitë për tu përfshirë në korrupsion.
“Korrupsioni bëhet ‘domain’ i atyre që janë në pozitë fuqie për të abuzuar me të”, thotë ajo, ndërsa shton se “edhe pse gratë, statistikisht rezultojnë më pak të korruptuara, ky nuk është një tipar i trashëguar apo ndonjë tregues për një superioritet moral të përgjithshëm të grave ndaj burrave.
“Këto variacione, në përgjithësi i atribuohen konteksteve sociale, kulturore dhe institucionale”, theksoi ajo.
Dhembo shprehet se rezultatet e procesit janë “fryt i asaj që ishte ‘mbjellë’ kulturalisht, bazuar në diferencat gjinore lidhur me fuqinë, pushtetin, nënshtrimin dhe korrupsionin që formësohen sipas konteksteve sociale, kulturore dhe institucionale, dhe sistematikisht lidhur me sa pushtet kanë pasur ose iu ishte lënë grave brenda sistemit”.
Edhe Romina Zano, avokate që ka përfaqësuar një sërë subjektesh dhe ka ndjekur nga afër procesin e rivlerësimit, thotë se të dhënat jo domosdoshmërish tregojnë korrupsion të ndarë mbi baza gjinore, por janë reflektim i faktit që meshkujt dominonin sistemin dhe ishin brenda tij për një kohë më të gjatë.
“Në bazë të studimit tim personal të praktikave të këtij procesi, tendenca për largimin nga sistemi i drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i është kundërdrejtuar kryesisht atyre subjekteve për të cilët është marrë një kohë më e gjatë rivlerësimit, si pasojë e jetëgjatësisë së tyre në sistemin e drejtësisë, ku dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë meshkuj”, thotë Zano.
UN Women theksin se nuk ka një ndarje gjinore të korrupsionit.
“Në ‘rrethanat e duhura, gratë dhe burrat kanë të njëjtat prirje për të qenë të korruptuar’”, shprehet agjencia e OKB-sw.
Barazia mund të përmirësojë sistemin
Megjithëse e shikojnë me skepticizëm raportin mes gjinisë dhe problemeve të gjetura në veting, ekspertët janë të një mendje kur thonë se ndryshimi i raportit gjinor në sistemin e drejtësisë, i shoqëruar me masa të tjera kundër korrupsionit, mund ta përmirësojë sistemin.
“Arsyeja përse qeveritë me më shumë gra në pushtet janë me të vërtetë më pak të korruptuara është se këto qeveri zbatojnë edhe parime të tjera të qeverisjes demokratike, si shtypi i lirë, sundimi i ligjit dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shprehet UN Women.
Organizata thekson se për shkak të numrit më të lartë të grave dhe vajzave që ndjekin Shkollën e Magjistraturës, balanca gjinore në sistemin e drejtësisë do të vijojë të rritet në favor të grave.
Edhe avokatja Zano e sheh ndryshimin e raporteve si një zhvillim të rëndësishëm, megjithëse sipas saj hallkat kryesore të sistemit vijojnë të dominohen nga meshkujt.
“Lidhur me faktin se çfarë mund të sjellë në vijim ky rezultat, gjykoj se ky ndryshim i raporteve, i cili dallon dukshëm edhe midis magjistratëve të rinj, ku numri me i madh i tyre janë magjistrate, tregon zhvillimin e një ekuilibri të mirë gjinor, si një investim i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, pavarësisht se në nivelet me të larta – sikurse është numri i raporteve sot në Gjykatën e Lartë, ende predominojnë gjyqtarët meshkuj”, thotë ajo.
Për pedagogen Dhembo është e nevojshme që nga kjo pikë sistemi të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme për të ndaluar praktikat abuzive.
“Në këtë sens, si për burra dhe për gra duhet të sigurohet një sistem i shëndetshëm kontrolli dhe balancimi (check & balance), pavarësisht se nga cilat procese dalin ata/o që marrin pozicionet e reja”, thotë ajo.
Dhembo theksoi se rezultatet e prodhuara nga vetingu janë një mundësi e mirë për “të studiuar dhe matur se si një ‘stof’ i ri i diversitetit gjinor në sistem do të manifestohet edhe në aspektin e eficiencës dhe korrupsionit”./ Reporter.al