Aplikacion
Një vendim ky nuk favorizon asnjë prej palëve në Partinë Demokratike, pasi çështja duhet të kthehet në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe deri në një vendim tjetër asnjëra prej tyre nuk mund të regjistrohet në zgjedhje.
I vetmi i fituar në këtë rast është kryeministri i cili në zgjedhjet e ardhshme vendore me shumë mundësi nuk do të ketë sërish Partinë Demokratike përballë.
Në faktë janë disa indicie që të çojnë të besosh se pas vendimit të sotëm të gjykatës ëashtë pikërisht dora e kryeministrit Edi Rama.
Në radhë të parë Rama dhe mazhoranca e tij kanë qënë më të interesuarit që ky process të zgjatej thuajse 1 vit plotë dhe tashmë, tre ditë para përfundimit të afatit për regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore për vendoret e 14 majit, çështja të kthehet sërish për shqyrtim në shkallë të parë.
Së dyti ai ka qenë i akuzuar direkt nga opozita se po mbante peng vulën e Partisë Demokratike dhe se po përdorte Enkelejd Alibeajn si një levë për të mbajtur të përçarë dhe pa një status të qartë juridik Partinë Demokratike.
“Edi Rama është ai që ndalon regjistrimin e aktit të gjykatës në regjistrin e partive politike, në një akt antidemokratik dhe diktatorial. Është vetëm Edi Rama që ai nuk lejon me një kancelar, me një sekretare, që ka detyrë absolutisht ligjore, të çojë aktin në regjistër. Kjo është e vërteta. Pra, nuk është problem gjykate, është problem Edi Rame. Pra, kemi të bëjmë me një urdhër stalinist të Edi Ramës, që nuk do që kjo parti të regjistrohet. Në çdo proces gjyqësor, palë janë ato që paraqesin pretendime në sallën e gjyqit. Në rastin e PD, çdo qytetar që kishte dyshimin më të vogël për këtë vendim gjykate, ka të drejtë të hapë proces gjyqësor, por kurrë të bëhet palë. Palë në atë vendim jemi vetëm ne, dhe ne kemi të drejtë të apelojmë. Por askush tjetër mbi tokë, përveçse në drejtësinë e Edi Ramës”, shprehej Berisha disa javë më parë lidhur me këtë process, duke akuzuar direkt Edi Ramën se po mbante peng vulën e PD-së.
Jo vetëm kaq, por një javë më parë, gjatë punimeve të Kuvendit në seancë plenare, ishte kryetari I grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ai që do të paralajmëronte venndimin e sotëm të gjykatës kundër Sali Berishës dhe grupimit që ai drejton.
“Pas datës 3 nuk do të jeni më kështu. Gjykata do të marrë vendim. Problemet e të partisë mos i sillni këtu”, tha ai nga foltorja e Kuvendit, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.
Deklarata e Ballës solli reagimin e ashpër të kreut të opozitës, Sali Berisha atë ditë.
“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.
Kudo që të fshihesh, në çdo vrimë miu, do të kapim dhe do të çojmë te Gentian Sharra. Për këtë Edi Rama dhe ti do jeni përgjegjës personalë.
Për tre minuta, jemi brenda në parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë! Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon!”, tha Berisha duke bërë përgjegjës pikërisht Edi Ramën.
Jo vetëm kaq, por para disa ditësh kryedemokrati Sali Berisha denoncoi publikisht ministren e Jashtme Olta Xhaçka se gjatë një komunikimi me një ambassador në Tiranë I kishte bërë të ditur pikërisht vendimin se gjykata do e kthente çështjen e vulës së PD-së në shkallë të parë.
Ndaj këtij denoncimi reagoi vetë ministrja Xhaçka e cila mohoi që të kishte pasur një komunikim të tillë dhe për një çështje të tillë me ndonjë ambassador.
““Dëgjova dje, që gjatë një interviste, autori i versionit shqip të McGonigal, ish-Kryeministri non-grata kishte thënë që kanë dalë mesazhe se Olta Xhaçka i ka shkruar një ambasadori se “është vendosur me gjykatësin për këtë çështje.” E kishte fjalën për gjyqin për vulën që i ka humbur PD. Se ç’punë ka ministri i jashtëm të vendosë për vulën e PD këtë e di ai”, tha Xhaçka.
Zhvillimet e sotme i dhanë Berishës sërish të drejtë. Vendimi i Gjykatës ishte pikërisht ai që Xhaçka kishte folur me ambasadorin.
Nga ana tjetër është pikërisht mazhoranca e drejtuar nga Rama ajo që vijon të mos e njohë ligjërisht Berishën në krye të Partisë Demokratike edhe në përcaktimin e forumeve përfaqësuese në Kuvend.
Prej një viti mazhoranca e majtë vijon të njohë Enkelejd Alibeajn si drejtues të grupit dhe respekton çdo venndim të tijin, ndërsa dhjetëra deputetë, përfshi edhe vetë Berishën janë sot pa grup parlamentar.
Një sjellje kjo e mazhorancës me anë të së cilës ajo kërkon t’i imponohet edhe institucioneve të tjera, përfshi këtu edhe Gjykatën, se kush është drejtuesi ligjor i Partisë Demokratike.
Një tjetër argument që e bën Edi Ramën ndikues në vendimin e sotëm të gjykatës është edhe vendimi i tij për të detyruar mazhorancën parlamentare dhe jo parlamentare që të refuzojë çdo komunikim dhe çdo propozim parlamentar që mban firmën e Sali Berishës brenda.
Në vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit nuk ka të fituar mes dy palëve në proces. I fituari i vetëm është Edi Rama. Derisa dy grupimet në PD ta kuptojnë, ai do të vazhdojë të qeverisë i qetë, me zgjedhje që shërbejnë vetëm për ta çertifikuar pushtetin e tij, jo për ta fituar, sepse fitoren po e merr duke keqpërdorur çdo ligj, rregull e institucion të mundshëm demokratik. /Zoom.al