zoom

Aktualitet

Vendim i Gjykatës së Romës/ Emigrantët e Gjadërit kthehen me urgjencë në Itali

Pas vendimit të marrë nga Gjykata e Romës këtë të premte, refugjatët që u sollën në kampin e Gjadrit do të kthehen menjëherë në Itali.

Kthimi i 12 emigrantëve të paligjshëm do të bëhet përmes portit të Vlorës. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë kampit në Gjadër të cilët shprehen se vendimi i Gjykatës është menjëherë i zbatueshëm.

Media italiane ‘La Repubblica’ raportoi se gjyqtarët e seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës kanë vendosur se të 12 emigrantët që u sollën në Shqipëri duhet të kthehen në Itali. Dhe kjo, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga Komisionet territoriale.

Me vendimin e sotëm, 18 tetor, Gjykata e Romës nuk e konfirmoi ndalimin e të 12 emigrantëve nga Egjipti dhe Bangladeshi, të kapur me 13 tetor nga Guardia di Finanza dhe që u sollën në Gjadër dy ditë më parë, 16 tetor. Sipas La Repubblica, vendimi i Gjykatës së Romës, një zhvillim i brendshëm i shtetit italian, bazohet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta.

Duke iu referuar edhe Gjykatës Europiane të Drejtësisë, në vendimin e trupës së gjyqtarëve të Romës thuhet se Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe për këtë arsye emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali dhe jo në kampe, dhe as nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar.

“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë të sigurta edhe në dritën e vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, argumentojnë gjyqtarët e Romës. Çka detyron Italinë që ti mbajë ata në qendrat e emigrantëve brenda territorit italian.