zoom

In Zoom

Veliaj përdor imamin Kalaja për të zbutur myslimanët e irrituar me qëndrimin e qeverisë për Gazën

Dy ditë më parë (23 tetor) ra në sy një postim në rrjetet sociale të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Nën titullin “Imami që duam”, i zgjedhuri si i pari i kryeqytetit theksonte veprimtarinë humane dhe fetare të imamit të nderuar, Ahmed Kalaja, si dhe pjesëmarrjen e tij në Maratonën e Tiranës, veç të tjerash.

E parë si ngjarje dite duket diçka e zakonshme dhe njerëzore, por momenti në të cilin u promovua një nga imamët më të respektuar në Shqipëri besimtarët myslimanë dhe jo vetëm nuk duket aq rastësi.

Reklamimi me superlativa i imamit Kalaja vjen në një kohë kur qëndrimi i qeverisë së Tiranës për luftën mes Izaelit dhe Hamasit ka shkaktuar polemika dhe ka ndarë opinionin publik.

Shqipëria ka dënuar aktet terroriste të Hamasit si mbarë bota, por nuk ka dënuar vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm palestinezë, fëmijë, të moshuar, gra e burra nga bombat e Izraelit që bien papushim mbi Rripin e Gazës.

Ndaj promovimi i imamit Kalaja në këtë moment dhe në këtë kontekst ngjan si kundërpeshë ndaj lumit të kritikave të qytetarëve dhe kryesisht besimtarëve myslimanë që kanë shpërthyer kundër qeverisjes socialiste.

Teksa kritikat u shtuan kur qeveria Rama e pozicionoi veten hapur duke shpalosur flamurin Izraelit në sheshin Nënë Tereza dhe nuk bëri të njëjtën gjë me flamurin palestinez kur ushtria izraelite masakroi cilivët në Gaza, “Imami që duam” shndërrohet automatikisht në “Imami që na duhet”.

Në këtë kontekst, kjo figurë me reputacion në komunitetin mysliman po përdoret si makiazh për fytyrën djallëzore të një politike që nuk guxon të dalë në krah të palestinezëve të pafajshëm që po vriten dhe po mbahen të izoluar në Gaza në kushte çnjerëzore.

Përpara përdorimit, Veliaj duhet së paku ta kishte pyetur Imamin se çfarë mendon ai për flamurin izraelit të shpalosur në qendër të Tiranës dhe për mungesën krah tij të flamurit palestinez.

Qëndrimi i Tiranës ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme e kanë ndarë opinionin publik në Shqipëri.

Dhe dukshëm, qëllimi i reklamimit të “konsideratës së madhe të Tiranës” ndaj imamit është zbutja e faktorit mysliman ndaj këtyre zhvillimeve, duke qenë se komuniteti mysliman ka një rol të rëndësishëm si në jetën shoqërore po ashtu edhe në atë politike.

Por a duhet Ahmed Kalaja dhe besimtarët myslimane t’u besojnë politikanëve të tillë që i përdorin sa herë kanë nevojë?

Komuniteti Mysliman do të duhet të kishte një përgjigje për këtë.

 

Postimi i Veliajt:

“Imami që duam – Ahmed Kalaja ka 9 fëmijë, kujdeset për gjithë xhematin e Dine Hoxhës, merr pjesë në çdo aksion pastrimi, ndihmon çdo kauzë humanitare, këshillon e inkurajon gjithë çunat e Kombëtares, por s’keni parë gjë akoma. Shoku Lalit dje bëri Maratonën e Tiranës, për të provuar atë që them unë se “kush o i mirë, i bo të gjitha”, shkruan Erion Veliaj.

/Zoom.al/