zoom

Aktualitet

Veliaj i kaloi pushimet te jahti luksoz i Armand Lilos

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi denoncoi këtë të enjte një skandal që prek kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës, Këlliçi zbuloi se Veliaj i ka kaluar një pjesë të pushimeve verore në jahtin luksoz të Armand Lilos.

“Po jahtin 7 milionë euro të Armand Lilos, që ishe javën e kaluar? Po shtatë kate pa leje këtu në shesh a i ke parë? Sepse një tendë të Adriana Kalasë ti e pe. Armando thuhet se të ka mbyllur hallet me prokurorët e SPAK”, tha Këlliçi.

Por kush është Armand Lilo dhe ku qëndron skandali?

Armand Lilo është pronar i kompanisë “Arlis Construction”. Ai ka ndërtuar kullën “Syri i Tiranës”, projekt ku autoritetet kapën 8 kate pa leje.

Sipas ligjit, ndërtuesi duhet të ishte në burg, nga 5 deri ne 8 vjet, për ndërtimin pa leje.

Por kryeministri Edi Rama, për të mbrojtur dhe amnistuar Lilon dhe ndërtues të tjerë të kapur në shkelje për katet pa leje, krijoi një mekanizëm tjetër ligjor, duke iu kërkuar t’i riblinin ose t’ia dhuronin një pjesë shtetit.

Por edhe pse ky mekanizëm nuk pengon autoritetet të kryejnë hetime dhe të thellohen për shkeljen, Armand Lilo nuk po hetohet.

Pse nuk po e heton Prokuroria e Tiranës Lilon për ndërtimin e 8 kateve pa leje te “Syri i Tiranës”?

Armand Lilo duhet të hetohet edhe nga SPAK, ku është kallëzuar nga Belind Këlliçi për ndërtimin tek ish-Policia Bashkiake, pranë zonës së “21 Dhjetorit”, në Tiranë.

Po ashtu, Zoom.al mëson se Këlliçi po përgatit një tjetër dosje për një ndërtim që Lilo ka bërë te “Farmacia 10”, në kufi me konviktin e Fakultetit të Mjekësisë.