zoom

In Zoom

Veliaj – Ahmetaj, konflikti që po hedh dritë mbi aferën e inceneratorit të Tiranës

Erion Veliaj është sërish në telashe. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është vënë në qendër të vëmendjes pas udhër-arrestit të SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Opozita e pyeti kreun e SPAK, Altin Dumanin, se përse nuk heton inceneratorin e Tiranës dhe Veliajn. BIRN, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative publikoi pjesë të dosjes së SPAK në të cilën thuhet se projekti për inceneratorin e Tiranës u propozua nga Veliaj.

Shkrimi i gazetares Ola Xama në BIRN për rolin e Erion Veliajt në Inceneratorin e Tiranës

Shkrimi i gazetares Ola Xama në BIRN për rolin e Erion Veliajt në Inceneratorin e Tiranës

Pikërisht ky shkrim zbuloi se Erion Veliaj e sheh çështjen e inceneratorit të Tiranës si rrezik për të. Ai i shkruajti disa mesazhe gazetares Ola Xama, që përgatiti artikullin, duke e quajtur një “vrasëse me pagesë”.

“Ola, ti nuk je gazetare! Je nje killer me pagese! Nise te besh nje vrasje, por kishe objektiv te gabuar dhe nuk te shkrepi arma! E di qe nuk e njeh turpin, por BIRN id he nje njolle qe nuk do te harrohet kollaj! Fundjave te mbare!” – shkruan kryetari i Bashkisë së Tiranës në mesazhin dërguar gazetares, të cilin ajo vetë e bëri publik. (LEXO MESAZHET E PLOTA KËTU)

 Mesazhi që Erion Veliaj i dërgon gazetares Ola Xama

Mesazhi që Erion Veliaj i dërgon gazetares Ola Xama

Por në emër të kujt po e “vriste” Ola Xama me shkrimin e saj kryetarin e Bashkisë së Tiranës? Disa gazeta e portale, që nxituan ta marrin në mbrojtje krytarin e Bashkisë së Tiranës dhe e sulmuan gazetaren Xama pothuajse me të njëjtën gjuhë me Veliajn, shkruajtën se “porositësi i vrasjes” ishte Arben Ahmetaj.

Vetë Veliaj nuk e përmend Ahmetajn në komunikimet me Whatsapp me gazetaren, por i thotë asaj se po mbron delinkuentët.

“Bashkia ka adrese, jo uacap, dhe pasi te degjova 100 dite ne fushate me miliante se vete kandidatet, pyes veten sa poshte keni rene duke hedhur nje komerdare per te shpetuar delinkuentet! Si mund ta shkaterrosh imazhin e gazetares me nje sherbim kaq joprofesional ndaj kujtdo qe ta ka kerkuar?” – shkruan Veliaj.

Mesazhi i Erion Veliajt për gazetaren Ola Xama

Mesazhi i Erion Veliajt për gazetaren Ola Xama

Nëse delinkuentët janë ata për të cilin flasin mediat pranë bashkisë, atëherë gjasat janë që Veliaj i referohet pikërisht ish-zëvendëskryeministrit që po kërkohet nga SPAK pas një hetimi të nisur prej tij.

“DITA”, një prej gazetave që sulmoi gazetaren, nuk lë vend për dyshime: “Gafa e kontradiktores Ola Xama – Ngatërron projektin e IFC të Bashës, e mundohet të shpëtojë Ahmetajn duke fajësuar pa të drejtë Veliajn. Më shumë se plehrat, vjen era e gazetarisë si killer me pagesë!” – shkruaj gazeta në titullin kryesor të saj.

Ballina e gazetës DITA

Ballina e gazetës DITA

Por gazetarja Xama publikoi një tjetër shkrim duke iu referuar dosjes së SPAK. Ajo zbuloi disa nga pagesat që kishte marrë Arben Ahmetaj nga bosët e inceneratorëve.

Shkrimi i gazetares Ola Xama në BIRN për Ahmetajn

Shkrimi i gazetares Ola Xama në BIRN për Arben Ahmetajn

Kjo u duk se ishte përgjigjja që ajo u dha të gjitha akuzave dhe spekulimeve se ishte paguar nga Arben Ahmetaj për të “vrarë” Erion Veliajn.

Po përse do ta godiste Ahmetaj kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn? Gazetarja Ola Xama jep këtë përgjigjje:

“Mendoj se alarmi i Veliajt ka të bëjë me një tjetë fjali që citohej nga dosja e SPAK: “Pra, siç mund të konstatohet personi nën hetim Arben Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”. SPAK pohon se procedura e inceneratorit të Tiranës ka probleme dhe Ahmetaj, si ministri ‘gardian’, nuk mbrojti buxhetin e shtetit nga shkeljet e Veliajt”.

Ish -zëvendëskryeministri Ahmetaj, në reagimin e parë publik që pati pasi Parlamenti i hoqi imunitetin, la të kuptohet se ka disa persona që e duan pas hekurave.

“Dikush më tha: të duan në burg vëlla” – shkroi Ahmetaj.

Por a është Erion Veliaj në mesin e personave për të cilët flet Ahmetaj?
Ajo çfarë është më e qartë deri në këto momente është fakti që në sytë e Veliajt, Arben Ahmetaj është një delinkuent që po paguan për ta marrë edhe atë me vete.

Tashmë konflikti mes tyre ka dalë në sipërfaqe dhe me gjasë do të zbulojë zullume të tjera të aferës qindramiliona euroshe të inceneratorëve, që sa vjen e pakëson numrin e qeveritarëve dhe shton ato të delinkuentëve. /Zoom.al