zoom

Aktualitet

Vdekja e mistershme e Joy-t, dëshmon shoqja e saj: Shoferi i kazinosë e shantazhonte

Ditën e sotme, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje shoqen e Joy Aoko-s, Emili Mutua. E reja nga Kenia është pyetur si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e vdekjes së Joy-t.

Edhe sot, Emili i ka qëndruar versionit që ka deklaruar më herët, duke ngritur dyshime për shoferin e kazinos ku punonte Joy, Rodi Barçi.

Emili ka pohuar se Joy i ka treguar asaj shantazhet që shoferi i kishte bërë kohët e fundit, për të vijuar lidhjen me njëri-tjetrin. E reja thekson se ka dyshime që në ngjarje të jetë i përfshirë Barçi dhe persona të tjerë, por pa folur për persona specifikë.

Ndërsa për shantazhet e Joy-t, ajo tregon se është vënë në dijeni pak ditë para se të ndodhte ngjarja në gusht 2022.

Shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja nga Kenia Joy Aoko u mor në pyetje dy ditë më parë për disa orë në lidhje me dyshimet e hetuesve se mund të ketë gisht në dhunimin e të resë. 32-vjeçari, Rodi Barçi deklaroi se ka qenë i lidhur me Joy-n, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më të bënin me njëri-tjetrin./ Zoom.al