zoom

Politikë

Vasili: Rama është bërë zëdhënës i Rinasit, flet vetëm për pasagjerë dhe jo për turistë

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili deklaroi se tashmë edhe kryeministri Edi Rama e ka pranuar dështimin e turizmit.

Sipas Vasilit, diçka e tillë është e dukshme për shkak të mënyrës si shprehet tashmë kryeministri për lëvizjet në aeroportin e Rinasit.

Në një postim në “Facebook”, Vasili thotë se tashmë Rama i quan udhëtarët pasagjerë dhe jo turistë.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

Zëdhënësi i Rinasit Edi Rama flet vetëm për pasagjerë dhe jo më për turistë!

Edi Rama tashmë nē pozicionin e ri të Zëdhënësit te Aeroportit te Rinasi flet vetëm pêr pasagjerë dhe nuk flet më për turistë.

Po pse Edi Rama flet tani per pasagjerë dhe jo më për turistë?

Rama e ka shumë të qartê se përrallën propagandistike me miliona turistë imagjinarë nuk e hëngri njeri.

Numërimi idiot nga dhjetë herë i qytetarëve të ndryshëm, që përdorin Aeroportin vetëm për transport dhe aspak për turizëm ishte një tjetër shpikje e falimentuar propagandistike.

Plazhet bosh, netët e pakta të fjetjes, që ishin as gjysëm dite për turist sipas numrit të gënjeshtërt te turistëve sipas Ramës, konsumet e pakta dhe infrastruktura, që nuk lejon një turizëm me standarte janë njê realitet i pakundërshtueshëm, që hedh poshtë çdo propagandë e përrallë mediatike të paguar nga qeveria.

Turizmi nuk bëhet as me korrupsion, as me gënjeshtra dhe as me propagandë, por vetēm me profesionalizëm dhe duke vënë interesin publik të parin.

Pushtimi i plazheve nga privatët, asgjesimi i plazheve publike, niveli i ulët dhe jo profesional i shërbimit ndaj klientit, investitorët gjoja strategjikë, që pushtojnë pjesët më të bukura dhe me potencial të lartë zhvillimi si dhe infrastruktura rrugore klienteliste që nuk zgjidh asgjë jane vrastare për turizmin.

Kjo situatë kaq e rëndë e turizmit nuk kalohet me shpikjen e “fake sukseseve” imagjinare, por duke vënë gishtin nē plagë.

Por për një gënjeshtar si Edi Rama e vërteta është nje dimension i paarritshëm ndaj dhe sot u bajatos si një zëdhënës i rēndomtë i Aeroportit te Kastrati Group.