Aplikacion
Qyteti i Sao Paulos e ka regjistruar një mesatare prej 37.3 gradësh Celsius në mesditën e së martës, ka raportuar Instituti Kombëtar i Meteorologjisë.
“Jam i dërmuar, është e vështirë. Kur shkoj në shtëpi, bëj dush me ujë të ftohtë, përndryshe nuk mund të zgjohem, sepse jam shumë i lodhur. Është e vështirë edhe të flesh”, tha 22-vjeçari Riquelme da Silva, për agjencinë e lajmeve AFP.
Dora, 60-vjeçare, shitëse në rrugë, e ka përshkruar të nxehtin si të “padurueshëm” për ata që punojnë në ambiente të jashtme.
Ky mot i nxehtë është regjistruar në Brazil, më shumë se një muaj para nisjes së verës në hemisferën jugore.
Sipas shkencëtarëve, valët e të nxehtit po bëhen më të gjata dhe më intensive në shumë vende, dhe kjo situatë pritet të vazhdojë, përveç nëse merren masa për ta luftuar emetimin e gazrave serrë.
Ndërkohë, bota tani është duke u përballur me fenomenin El Nino, përgjatë së cilit rriten temperaturat globale, për shkak të ngrohjes së konsiderueshme të ujit në oqeane.